Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar opinionin se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primoz Gliha.
Përfaqësuesja e Kosovës ka përjetuar edhe një kampanjë dështuese për t’u kualifikuar në një Kampionat Evropian apo Botëror.
E fundit është kampanja për eliminatoret në Euro 2024, ku Kosova përfundoi e pesta në Grupit I me vetëm 11 pikë nga 10 ndeshje.
Dardanët lanë pas vete vetëm Andorrë, ndërsa përfunduan pas Rumanisë, Zvicrës, Izraelit dhe Bjellorusisë.
Kështu, me të përfunduar cikli kualifikues, FFK ka njoftuar shkarkimin e sllovenit Primoz Gliha.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primoz Gliha”.
“FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse”.
“Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”, thuhet në njoftimin e FFK-së.