Zyra për media e qeverisë së Gazës ka hedhur dyshime mbi suksesin e një rruge detare për dërgimin e ndihmave humanitare për lehtësimin e urisë në enklavën e rrethuar, transmeton Anadolu.
Dje, sipas organizatës ndërkombëtare “World Central Kitchen”, një anije e ngarkuar me ndihma humanitare për Rripin e Gazës u nis nga administrata e Qipros Greke.
Anija e ndihmës ishte pjesë e një korridori detar për të ofruar ndihma në enklavën palestineze, e cila ka qenë nën një bllokadë izraelite që nga tetori i vitit të kaluar.
“Përpjekjet e ndihmave mbeten nën minimumin e kërkuar për të lehtësuar katastrofën humanitare që po godet popullin tonë. Mbetet e paqartë se ku do të ankorohen anijet e ndihmës dhe si do të arrijnë në brigjet e Gazës, prandaj suksesi i kësaj rruge detare mbetet për t’u parë”, tha Salama Maarouf, kreu i zyrës për media.
Maarouf bëri thirrje për presion mbi Izraelin për të lejuar qasjen në ndihma humanitare përmes terminaleve tokësore me Egjiptin dhe Gazën. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të mblidhet përpara se të jetë tepër vonë për të shpëtuar ata që vdesin nga uria”, theksoi ai.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi, ku sipas Tel Avivit, u vranë rreth 1.200 njerëz.
Mbi 31 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe mbi 72.600 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.
Ushtria izraelite ka vendosur bllokadë në enklavën palestineze, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e saj, veçanërisht banorët e Gazës veriore. Sipas autoriteteve lokale, të paktën 27 persona kanë vdekur nga kequshqyerja dhe dehidratimi si pasojë e bllokadës izraelite.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të garantojë që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.