Zyra e Kryeministrit Haradinaj rreth 8 mijë euro për telefona mobilë

Gjithmonë kishin qenë në thumb të kritikës institucionet që kanë shpenzuar para për blerjen e telefonave. Por kjo praktikë pavarësisht ndërrimit të qeverive, ka vazhduar.

Me marrjen e mandatit, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shpenzuar para për blerjen e telefonave. Por jo vetëm Zyra e Kryeministrit, shpenzime për telefona mobil kanë bërë edhe institucione tjera.

Haradinaj kishte thënë se blerja e telefonave është për shkak të nevojave të këshilltarëve të tij, që sipas tij, i kanë pagat e vogla.

Zyra e Haradinajt ka shpallur 3 herë tender për aparate telefonike.

Lajmi.net i ka mbledhur të gjitha shpenzimet në blerjen e telefonave nga Zyra e Kryeministrit.

Fillimisht ka kërkuar një telefon vlera e të cilit është 980 euro. Herën e dytë ka shpenzuar 6 mijë e 42 euro për telefona. Dhe herën e tretë një Ipad që është paguar 820 euro. Në total Zyra e Kryeministrit ka shpenzuar 7 mijë e 842 euro, raporton lajmi.net.

Edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka blerë telefon. Kjo ministri ka shpallur tender për një telefon, dhe e ka paguar 700 euro.

Pas zyrës së kryeministrit që shpenzojë në blerjen e telefonave mobil, tashmë pothuajse të gjitha institucionet publiku po shpallin tender për blerjen e telefonave mobil.

E fundit që ka shpallur tender është Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, duke vendosur 3 mijë euro për 3 telefona për anëtarët e bordit.

Ky autoritet kërkon tre telefona që të pajisen Bordi Drejtues me ta, me qëllim të lehtësimit të komunikimit.

Kujtojmë se kompania publike “Infrakos”, para disa ditësh kishte deklaruar se do t’i ndal trenat sepse nuk kanë para as për t’i paguar punëtorët, duke e paraqitur kompaninë në gjendje të rëndë financiare.

Shpenzimet në telefona mobil ishin kritikuar gjithmonë nga shoqëria civile, por edhe nga opozita.