Zvogëlohet lista e pritjes në Radiologji, realizohen 7 300 rezonanca magnetike

Klinika e Radiologjisë ka përmbyllur vitin 2019 me disa suksese e sfida të shumta.

Në këtë klinikë gjatë vitit që lamë pas për herë të parë janë bërë investime në përmirësimin e punës së aparatit të Rezonancës magnetike dhe blerjen e tri spiraleve për qafë, stomak dhe krah.

Kështu thotë për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli.

“Realisht për herë të parë në vitin 2019 janë bërë investime në përmirësimin e punës së aparatit të Rezonancës magnetike me blerjen e tre spiraleve për abdomen , qafë dhe për krah në mënyrë që këto shërbime ti ofrojmë se për vite nuk i ka ofruar klinika jonë”, tha Gjikolli për Ekonomia Online.

Gjikolli më tej, thotë se në vitin 2019 kanë arritur të zvogëlojnë listën e pritjes së pacientëve duke e sjellur atë nga 1 vit në disa muaj.

“Pastaj janë blerë tre injektorë automatikë për të përmirësuar punën që kemi pasur shumë vështirësi, pastaj për herë të parë tre ultratinguj janë blerë dhe klinika jonë tash është e pajisur me numër të aparateve të ultratingullit, njëherit kemi filluar edhe punën në ndërrimin e tretë në rezonancë magnetike nga 1 shkurti, në vitin 2019 dhe synimi ka qenë që të parapërgatitemi për.. projektin po në mungesë të materialeve të aktilizës atëherë ne kemi vazhduar dhe kemi shërbyer pacientët në uljen e listës së pritjes duke sjellur atë nga 1 vit në dy-tre muaj, pesë muaj,  1 muaj varësisht nga kërkesat”, tregoi ai.

Klinika e Radiologjisë ka arritur që për 12 muaj të ofrojë shërbime 24 orë për rreth 133.777 pacientë.

“Klinika Radiologjisë ofron 20 orë shërbime vazhdimisht dhe në këtë numër, ne kemi arritur deri tek vlera prej 133 777 pacientë të shërbehen për 12 muajt fundit, ku kemi realizuar rreth 78 mijë radiografi, 21 500 tomografi të kompjuterizuar, rreth 7300 rezonanca magnetike, mamografi rreth 3400 pacientë, rreth 25500 kontrollime me ultratingull, biopsi rreth 700. Pra numrat janë në ngritje që pasqyrojnë angazhimin edhe ofrimin e shërbimeve që ne bëjmë në Klinikën tonë”, tregoi Gjikolli.

Sipas tij, ngritje të shërbimeve për pacientët ka pasur veçanërisht për Rezonancë Magnetike, ku për çdo muaj numri ka qenë rreth 500 pacientë.

“Realisht kemi ngritje në të gjitha, por veçmas kemi me rezonancë magnetike, ku muaj për muaj, kemi pasur nga numrat 500 sa kanë qenë edhe pacientët të cilët janë në listë të pritjes ata në ndërkohë për shkak kohëzgjatjes kanë kryer diku tjetër, duke e arritur gjerë në 916 pacientë për një muajin nëntor, në tetor 805 e kështu më radhë”, theksoi ai.

Gjikolli thotë se nga 1 shkurti i vitit të kaluar kanë filluar të sjellin listën e pritjes së pacientëve të hospitalizuar në zero.

Mirëpo, përveç punës së bërë, Klinika e Radiologjisë është përballuar edhe me disa sfida.

Gjikolli thotë se duke dashur të rregullojnë kushtet e punës, janë akuzuar për rrjedhjen e rrezatimit për të cilën thotë se është trashëguar nga të tjerët.

“Ne kemi pasur shumë sfida për faktin që kemi dashur të rregullojmë kushtet e punës, në fakt duke filluar nga mbrojtja nga rrezatimi dhe jemi akuzuar për rrjedhjen e rrezatimit e cila është trashëguar nga të tjerët, në anën tjetër ne ishim ata që e rregulluam. Jemi akuzuar për ventilim se ventilimi nuk funksionon, dmth krijohen sfida nga ato që ne po rregullojmë,” theksoi ai.

Më tej, Gjikolli tregon se janë akuzuar edhe për kushtet e punës gjatë renovimit, porse këtë po e bëjnë për përmirësimin e kushteve.

Një sfidë tjetër me të cilën Radiologjia është përballur ka qenë edhe furnizimi me kontraste e materiale

“Jemi akuzuar për kushtet e punës, gjatë renovimit, po renovimin po e bëjmë për të përmirësuar kushtet e punës, pastaj kemi pasur vështirësi në furnizime me kontraste, furnizime me materiale tjera dhe të cilat i kemi menduar ti tejkalojmë bashkëriisht  me mirëkuptimin e pacientëve se ne shërbime kemi ofruar edhe në mungesë të materialeve, ku kemi hasur në mirëkuptim për ato materaile që na kanë munguar , pacientët i kanë siguruar i kanë blerë ato”, tregoi drejtori i Radiologjisë


Ai thotë se këto sfida kanë qenë të mëdha, por kushtet janë përmirësuar dhe kanë pasur përkrahje financiare në mënyrë që të sigurohen ato materiale që kanë qenë në mungesë

“Është sfidë të sigurohen për faktin që për herë të parë na vijnë në Kosovë dhe nuk ka informata do të ketë kompani që ti sjellin ato por mendoj që jemi në rrugë shumë të mbarë për ti tejkaluar këto dhe besoj që viti 2020 do të reflektojë shumë”, përfundoi Gjikolli.