Zvicra sot voton nëse do t’i japë fund lëvizjes së lirë me BE-në

Sot votuesit zviceranë do të vendosin nëse do ta braktisin marrëveshjen për lëvizje të lirë të njerëzve me vendet e Bashkimit Evropian.

Ata të cilët e përkrahin këtë ndryshim thonë se largimi nga marrëveshja do t’ia mundësojë Zvicrës kontrollimin e kufijve të vet dhe përzgjedhjen e atyre imigrantëve për të cilët ka nevojë.

Por, kundërshtarët e kësaj nisme theksojnë se braktisja e marrëveshjes për lëvizje të lirë do ta fuste ekonominë në recesion.

Kjo sipas tyre do t’ua merrte lirinë qindra mijëra zviceranëve që të jetojnë dhe punojnë në pjesë të ndryshme të Evropës.

Ministrja e Drejtësisë dhe Policisë, Karin Keller-Sutter, thotë se largimi i Zvicrës nga kjo marrëveshje do të krijonte një situatë më të keqe se Brexit-i.

Zvicra shumë kohë më parë ka vendosur të mos i bashkohet Bashkimit Evropian, por ajo dëshiron qasje në zonën evropiane të tregtisë së lirë dhe dëshiron të bashkëpunojë me Brukselin në fusha si transporti, mjedisi, shkenca dhe arsimi.

Çmimi për këtë është zbatimi i shtyllave kryesore të politikave të BE-së përshirë lëvizjen e lirë dhe anëtarësimin në Zonën Schengen, raporton BBC përcjell Klan Kosova.

BE vazhdimisht i ka treguar Zvicrës se largimi i mundshëm nga marrëveshja për lëvizje të lirë do të nënkuptonte edhe tërheqje nga marrëveshjet tjera që sjellin përfitime për shtetin helvetik.

Propozimi për tërheqje të vendit të pasur nga marrëveshja për lëvizje të lirë erdhi nga Partia Popullore, e cila është parti djathtiste.

Thomas Aeschi, thotë se marrëveshjet tregtare nuk janë aq të rëndësishme sa portretizohen në medie.

Megjithatë, Stefan Manser-Egli nga grupi Operation Libero, thotë se largimi nga kjo marrëveshje do të kishte një kosto të qartë, sepse Zvicra varet shumë nga tregtia me Bashkimin Evropian.