Federata Zvicerane e Futbollit do të emërojë ish-lojtarin Murat Yakin si trajner të ri të ekipit kombëtar të hënën, njoftuan gazetat zvicerane.
Yakin, i cili luajti për ekipin kombëtar 49 herë, do të zëvendësojë Vladimir Petkoviqin, i cili iu bashkua skuadrës franceze Bordeaux, pasi udhëhoqi helvetët në tetë të fundit të Euro 2020.
“Ne do ta komunikojmë javën e ardhshme se kush do të jetë trajneri i ardhshëm i ekipit kombëtar”, tha një zëdhënës i Federatës Zvicerane për Reuters, duke mos dhënë asnjë koment mbi emrin e trajnerit të ri.
Aktualisht trajneri i skuadrës së divizionit të dytë zviceran FC Schaffhausen, Yakin ka fituar dy kampionate si trajner i Baselit, të cilët i çoi në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.
46-vjeçari gjithashtu ka drejtuar skuadra si Grasshoppers, Sion dhe Spartak Moscow.
Yakin fitoi pesë kampionate zvicerane gjatë karrierës së tij, kur ai luajti te Grasshoppers, Stuttgart dhe Kaiserslautern në Gjermani, gjigantët turq Fenerbahce dhe klubin e tij të lindjes Basel.
Yakin pritet ta nisë aventurën me Zvicrën më 1 shtator kundër Greqisë.
Për një vend në pankinën e Zvicrës ishte i lidhur edhe emri i Bernard Challandesit, trajnerit aktual të Përfaqësueses së Kosovës. /koha