Ballina Arritje Zvicra numër një në botë për ekonomi, por ka një problem!

Zvicra numër një në botë për ekonomi, por ka një problem!

Zvicra mbetet ekonomia më konkurruese në botë për të 9-in vit radhazi, sipas Forumit Ekonomik Botëror.

Që prej vitit 2008, kur ra në vend të dytë pas Shteteve të Bashkuara, ekonomia zvicerane ka kryesuar në renditjen vjetore të Forumit.

Ekonomistët e Forumit Ekonomik Botëror thonë se Zvicra ka një rreth të fortë të infrastrukturës, institucioneve dhe edukimit, por në qendër të suksesit është mënyra se si ka krijuar dhe përdorur talentin. Sekreti i Zvicrës është aftësia për inovacion, mbështetur nga disa faktorë të tjerë që e mundësojnë.

Megjithatë, pas më shumë se 1 dekade në krye të renditjes, disa rreziqe janë shfaqur për Zvicrën. Popullsia në plakje mund të përkeqësojë inovacionin dhe një nga referendumet që zhvillohen shpesh në Zvicër mund t’i mbyllë derën talenteve të huaj.

“Shohim një përhapje të shpejtë të referendumeve të tillë për gjithçka. Disa prej tyre janë të rrezikshëm dhe mund të kërcënojnë  suksesin e ekonomisë zvicerane”, tha Thierry Geiger, ekonomist i Forumit Ekonomik Botëror.

Renditjet janë bazuar në disa nxitës të konkurrueshmërisë dhe nëpërmjet një sondazhi të liderëve të biznesit.

“Konkurrueshmëria globale do të përcaktohet gjithnjë e më shumë nga kapaciteti inovues i një vendi”, tha Klaus Schwab, themeluesi i Forumit.

Përveç Zvicrës, 10 vendet kryesore kanë mbetur si ç’kanë qenë një vit më parë, megjithëse kishte disa lëvizje në renditje. Shtetet e Bashkuara, u ngjitën sipër Singaporit në vend të dytë, ndërsa Hong Kongu u rrit me 3 vende në të 6-in, duke lënë Japoninë në vendin e 9-të.  Britania ra në vend të 8-të, dhe negociatat me Brexit nuk janë përfshirë ende. Kina u ngjit në vend të 27-të, shumë përpara Rusisë dhe Indisë, që rezultuan respektivisht në vend të 38-të dhe 40-të. /scan/

Exit mobile version