Zvicra bën rritjen e parë të normës së interesit në 15 vjet

Thomas Jordan

Banka Kombëtare e Zvicrës rriti normën e saj të interesit për herë të parë në 15 vjet, një lëvizje e papritur të enjten, dhe njoftoi se është gati ta rrisë më tej, duke u bashkuar me bankat e tjera qendrore në shtrëngimin e politikave monetare për ta luftuar inflacionin.

Banka Qendrore (SNB) rriti normën e saj të politikës në minus 0.25% nga niveli minus 0.75%, raportoi Reuters të enjten.

Kjo është rritja e parë nga SNB-ja që nga shtatori i vitit 2007 dhe pasoi një rritje prej 0.75 pikë përqindjeje në kostot e huamarrjes nga Rezerva Federale e SHBA-së.

Bankat e tjera qendrore po rrisin gjithashtu normat e interesit teksa përpiqen të frenojnë inflacionin e nxitur nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve që po shtrëngojnë buxhetet për familjet dhe bizneset.

Kryetari i SNB-së, Thomas Jordan, tha se rritja e inflacionit në Zvicër – i cili në muajin maj arriti nivelin më të lartë në gati 14 vjet, do të thotë që Bankës Qendrore mund t’i duhet të veprojë përsëri.

Edhe pas rritjes së normës me 0.5 pikë të enjten, SNB-ja pret që inflacioni në tremujorin e parë të vitit 2025 të arrijë në 2.1%.

“Pa rritjen e sotme të normës së politikës, parashikimi i inflacionit do të ishte dukshëm më i lartë”, tha Jordan në një konferencë shtypi. /koha