Banka Kombëtare e Zvicrës (SNBN.S) raportoi një humbje prej 95,2 miliardë franga zvicerane (100,08 miliardë dollarë) në gjysmën e parë të vitit, humbja më e madhe gjashtëmujore që nga themelimi i bankës në 1907, sipas BBC.
Rënia e tregut të aksioneve, e çmimeve të bonove dhe vlerësimi i frangut ndikuan ndjeshëm në uljen e vlerës së zotërimeve të bankës në valutë të huaj.
SNB raportoi një humbje prej 62.4 miliardë franga, në tremujorin të dytë
“Humbja është historike, por pjesa më e madhe e saj është një humbje e parealizuar që lidhet me vlerësimet më të ulëta të obligacioneve dhe aksioneve”, tha ekonomisti i “Credit Suisse”, një bankë globale investimesh dhe shërbimesh financiare, Maxime Botteron, duke shtuar se rezultati nuk ka gjasa të jetë një shqetësim për SNB-në.
“Unë nuk mendoj se kjo do të ketë ndonjë efekt në politikën monetare të SNB-së, ndikimi i vetëm mund të jetë në financat publike pasi rimbursimet e SNB-së për qeverinë dhe mund të kenë një nivel më të ulët vitin e ardhshëm”, shtoi ai.
Si një bankë qendrore, SNB-ja nuk mund të ketë probleme likuiditeti, sepse mund të përmbushë detyrimet e saj të pagesave duke shtypur para.
Në gjysmën e parë të vitit, SNB-ja pati një humbje prej 97.4 miliardë dollarësh nga pozicionet e saj në valutë të huaj, aksionet e saj dhe portofoli i obligacioneve, ndërsa realizoi një fitim prej 2.4 miliardë frangash në zotërimet e saj të arit.
Por situata u përkeqësua nga një humbje prej 10.3 miliardë për shkak të kursit të këmbimit, pasi forcimi i frangut uli më tej vlerën e investimeve të huaja.
Një zëdhënës i SNB-së tha se humbja nuk kishte asnjë ndikim në mandatin e stabilitetit të çmimeve të bankës.
Kreu i SNB-së, Thomas Jordan deklaroi vitin e kaluar se realizimi i fitimeve nuk ishte qëllimi i SNB-së dhe se nuk do të ndikonte në objektivin e politikës së saj monetare për të mbajtur inflacionin nën 2%.
“Mandati i politikës monetare të SNB-së ka gjithmonë përparësi dhe mund të ketë gjithashtu raste kur përmbushja e këtij mandati nënkupton pranimin e humbjeve”, u tha ai aksionerëve të bankës në prill 2021.
Në qershor, banka qendrore rriti normat e interesit për herë të parë në 15 vjet duke synuar të kontrollojë inflacionin në rritje. /atsh