Ballina Artikuj ZRRE nuk lejon që kriza energjetike t’i faturohet qytetarëve, barrën ua ngarkon...

ZRRE nuk lejon që kriza energjetike t’i faturohet qytetarëve, barrën ua ngarkon vetëm kompanive energjetike

Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane, vështirësi në furnizim me rrymë mund të paraqiten edhe në vend, pasi edhe Kosova është pjesë e atij tregu. Por, sipas vendimeve të para të institucioneve të Kosovës, kjo nuk do të reflektojë në gjepin e qytetarëve.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike -ZRRE ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt ku ka aprovuar të Hyrat e Lejuara Maksimale për operatorët e rregulluar (Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT; Operatori i Sistemit të Shpërndarjes/KEDS dhe Operatori për Furnizim me Shërbim Universal FSHU/KESCO), shkruan lajmi.net.

Të Hyrat e Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU/KESCO janë aprovuar në vlerë prej 290.1 milion euro, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT janë aprovuar në vlerë prej 38.94 milionë euro, për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes/KEDS janë aprovuar në vlerë prej 90.5 milionë euro. Këto të hyra do t’u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale.

Lajmi.net ka mësuar se KEDS kishte bërë kërkesë në ZRRE që të Hyrat e Lejuara Maksimale për Mars 2021-Mars 2022 t’i ketë në vlerë prej 83.47 milionë euro, por në mbledhjen e sotme Bordi vendosi që të rrisë këtë shumë në 90.5 milionë euro, ani pse para krizës energjetike propozimi ishte që shuma të aprovohej në vlerë prej 81.44 milionë euro.

“Me aprovimin e këtyre të hyrave, ZRRE ndër të tjera ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve. Megjithatë rritja e të hyrave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021”, ka bërë të ditur ZRRE.

Kërkesa nga këta operator ishte dorëzua muaj më parë, por ZRRE nuk e kishte shqyrtuar ngase nuk ka qene Bordi i kompletuar.

Sipas vendimit të ZRRE, shihet se barra e shtrenjtimit të rrymës në berëz do tu ngarkohet kryesisht KEDS dhe KOSTT, ani pse atyre u është lejuar rritja e të hyrave.

Meqë rritja e të hyrave nuk do të jetë nga faturimi, KEDS duhet të rritë përformancën, të zbret humbjet në rrjet, etj. Të Hyrat Maksimale të Lejuara përfshijnë: Kostot Operative, Kostot e Zhvlerësimit dhe të Kthimit, Kostot e Humbjeve, Të Hyrat e Parregulluara, nëse ka, 5. Faktori i korrigjimit për çdo mungesë apo tepricë të kostove të lejuara ndërmjet energjisë elektrike të parashikuar dhe energjisë elektrike aktuale të shpërndarë, blerjeve të energjisë elektrike dhe çmimeve referente të tregut të energjisë elektrike.

Në bazë të Vendimit të Bordit të ZRrE-së, me nr. V_1238_2020 të datës 06.04.2020, të Hyrat e Lejuara për vitin relevant tarifor 1 prill 2020 – 31 mars 2021 për KOSTT kanë qenë 45,884,164 euro.

Nëse shikohen bilanci vjetor i energjisë elektrike në Kosovë, prodhimi dhe kërkesa për rrymë dhe shtrenjtimi në berzë, pashmangshëm Kosova do të luhatët nga blerjet e mëdha të rrymës, pasi shteti ka paraparë që këtë vit duhet të sigurohen nga importi 668.8 GWh, në situatën më të mirë.

Në Kosovë, prodhimi i tërë nacional i energjisë elektrike, është planifikuar të jetë të jetë 5,297.2 GWh. Ndërsa, kërkesa gjithsej pёr energji elektrike në Kosovë për vitin 2021 duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 6,433.9 GWh.

Nga ana tjetër në bursën HUPX, energjia elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 euro/MWh vitin e shkuar, ndërsa sivjet ky çmim ka arritur shifrën e 110 euro/MWh, duke shënuar një rritje prej 182%

Exit mobile version