Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 119-të, i cili mban kodin W02714 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është më masa mbrojtëse dhe pyetjet për të i ka filluar prokurori Cezary Mihailzcuk. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ai, dëshmitari pretendohet se është rrëmbyer nga persona me uniforma të UÇK-së dhe u lirua pas negociatave me KFOR-in, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në qershor të 1999-ës dëshmitari 02714 u rrëmbye nga persona të armatosur që kishin veshur uniforma të UÇK-së, me shenja dalluese të UÇK-së dhe u dërgua në vende të ndryshme ku u mor në pyetje dhe u keqtrajtua. Ndërkohë që ka qenë i ndaluar, ai ka ndervepruar me komandantin e UÇK-së që në fund e liroi dëshmitarin pas negociatave me KFOR-in”, tha prokurori.
Dëshmitari mohoi se kur u ndalua nga UÇK-ja u informua për ndonjë akuzë penale të ngritur kundër tij.
“Ata më thanë se isha ndaluar se isha oficer trafiku rrugor. Kjo ishte arsyeja për këtë arsye më thanë që isha ndaluar. Asgjë tjetër s’më thanë”, tha dëshmitari.
Por, mohoi se iu dha mundësia që ta kundërshtojë ndalimin e tij përpara ndonjë gjyqtari ose zyrtari.
Me kaq përfunduan pyetje për këtë dëshmiarë nga ana e ZPS-së dhe me kunderpyetje vazhdoi mbrojtja e Thacit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq në seancë private për publikun.
Në prova materiale, u pranuan deklaratat e mëhershme të dëshmitarit së bashku me materialet percjellëse dhe u klasifikuan si konfidenciale.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.