Zoti nuk i don të padrejtët…

Ferid Piku

Është e pamundur që një njeri normal dhe një besimtar të jetë tifoz i padrejtësisë, ai kurrë nuk mund t’i duartrokasë të padrejtit.
Para padrejtësisë ai nuk mund të heshtë, zëri I të padrejtit kurrë s’mund të jetë.
Një njeri normal dhe një besimtar është me të drejtën dhe të vërtetën, edhe sikur ajo e drejtë dhe e vërtetë të jetë kundra miqve të tij, kundra njerëzve të tij, kundra vetes së tij. Edhe sikur ajo e drejtë të jetë në krah të kundërshtarëve dhe armiqve të tij…
Një njeri normal dhe një besimtar duhet të jetë gjithmonë hasmi i të padrejtit, shpresa e viktimës.
Kudo në botë, kushdo qoftë i pafajshmi, një njeri normal dhe një besimtar duhet të reagojë.
Kur sheh gjakun që derdhet pa pushim nga plagët e padrejtësisë, kur sheh fëmijë që vdesin me lodra në duar e me bukë në gojë, kur sheh nëna që nuk ju thahen sytë nga lotët teksa varrosin pjesët e mbetura të trupave të copëtuar të fëmijëve të tyre, është e pamundur që një njeriu normal dhe një besimtari shpirti të mos i vuajë e zemra të mos i digjet. Nëse me të vërtetë ka akoma një shpirt dhe një zemër…
Sepse njeriu normal dhe besimtari është i lidhur dhe i bindur ndaj Zotit që është i Drejti dhe i Vërteti, sepse njeriu normal dhe besimtari janë udhëtarë besnikë në rrugëtimin e drejtësisë.
“O robërit e Mi! Unë Vetes Time ja kam ndaluar padrejtësinë. Edhe juve jua kam ndaluar atë. Mos i bëni pra padrejtësi njëri-tjetrit.” (Hadith Kudsij)
“Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).
Dhe duke vrapuar me kokën lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).”
(Sure Ibrahim 42/43)

Hoxhë Ferid Piku