Mësohet se është e rëndë gjendja e pacientëve të cilët u plagosën si pasojë e zjarrit që shpërtheu në një diskotekë në qytetin Koçani në Maqedoninë e Veriut, të cilët po trajtohen në Bullgarinë fqinje, raporton Anadolu.
Në ngjarjen tragjike të ndodhur dje në Koçani, mbetën të vdekur dhjetëra persona dhe u plagosën 155 të tjerë, ku 14 prej të plagosurve u transportuan drejt Bullgarisë me avionë ushtarakë dhe autoambulanca tokësore.
Tetë nga të plagosurit po trajtohen në spitalin e urgjencës Pirogov në kryeqytetin Sofje, ndërsa të tjerët po trajtohen në qytetet Plovdiv dhe Varna.
Kryemjeku i spitalit emergjent të Pirogovit, Valentin Dimitrov, në një deklaratë tha se gjendja e 8 pacientëve të moshës 15 deri në 31-vjeç, të cilët po trajtohen në spital është kritike dhe të gjithë po mbahen në terapi intensive.
Dimitrov, tha se gjendja e të plagosurve që po trajtoheshin në Plovdiv dhe Varna është gjithashtu mjaft e rëndë dhe vuri në dukje se në fushatën e dhurimit të gjakut të nisur për të plagosurit në Sofje morën pjesë dhjetëra njerëz.
Kryeministri bullgar, Rosen Zhelyazkov, në deklaratën e tij për gazetarët tha se u ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjeve të të rinjve që humbën jetën nga zjarri në Maqedoninë e Veriut.
Duke njoftuar se 18 marsi do të jetë ditë zie kombëtare në vend, Zhelyazkov theksoi se Bullgaria qëndron pranë fqinjit të saj që po kalon kohë të vështira dhe se është e gatshme të ofrojë çdo lloj ndihme.
Kujtojmë se të paktën 59 persona humbën jetën dhe rreth 155 të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një diskotekë në Koçani. Nëntë nga të plagosurit janë dërguar në Türkiye për trajtim.