Zjarrfikësit e Londrës kanë vazhduar të enjten kërkimet për trupat e viktimave të zjarrit, që në orët e hershme të së mërkurës përshiu ndërtesën e banimit Grenfell Tower në perëndim të Londrës, ku humbën jetën të paktën 12 banorë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet kanë frikë se numri i të vdekurve mund të rritet, ndërsa vazhdojnë kërkimet e ekipeve të shpëtimit nën rrënoja.
Zjarri shpërtheu të mërkurën rreth një orë pas mesnate dhe u përhap me shpejtësi nëpër pallatin 24-katësh. Së shpejti në vend ngjarje arritën më shumë se 20 ekipe të emergjencës, si dhe rreth 200 zjarrfikës me 45 makina zjarrfikëse.
Nga zjarri janë plagosur dhjetëra banorë, prej të cilëve 18 janë në gjendje kritike, ndërsa numri i të zhdukurve nuk dihet.
Edhe pse një grup banorësh me vite janë ankuar për rrezikun nga shpërthimi i zjarrit, ende mbetet i panjohur shkaku i rënies së zjarrit.
Më shumë se 1.2 milion dollarë janë mbledhur për të ndihmuar të dëmtuarit, kurse vullnetarët e shumtë dhe organizatat bamirëse gjatë gjithë natës kanë siguruar strehim dhe ushqim për banorët që kanë humbur shtëpitë e tyre.