Zjarrfikësit paralajmërojnë protesta nëse nuk realizohen kërkesat e tyre

Sindikata e Zjarrfikësve e Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore që në seancën e sotme ku pritet të votohet buxheti për vitin 2021 të jepen vërejtje rreth votimit dhe të mbrojnë interesat e shërbimit të zjarrfikësve dhe të shqyrtohen mundësitë që të sigurohen mjete buxhetore.

Përmes një letre të hapur, drejtuar institucioneve, sindikata ka nënvizuar pakënaqësitë e saj duke theksuar se për vite me radhe kanë adresuar kërkesat e zjarrfikësve, por që gjithmonë u neglizhuan.

Sindikata thotë se ata janë neglizhuar nga secila qeveri.

“Ne Sindikata e Zjarrfikësve vite me radhë kemi identifikuar problemet dhe shkeljet që u bëhen kësaj kategorie të të punësuarave dhe iu kemi drejtuar për t’i zgjedhur problemet dhe për t’u ndërprerë shkeljet dhe diskriminimet, për të siguruar kushte për punë, për të ruajtur shëndetin e zjarrfikësve, por asnjëherë nuk i dhatë prioritet dhe rendësi shërbimit, këtë herë ju kemi drejtuar edhe një herë që urgjentisht dhe kërkojmë nga ju, që ketë herë të mos heshtni, por të ngrisni zërin dhe të jeni në përkrahjen e shërbimit të zjarrfikësve, të drejtave të tyre të nëpërkëmbura vite me radhë, t’i ndërprisni shkeljet, diskriminimet, përbuzjet, denigrimet dhe çka jo tjetër. Prandaj edhe një herë kërkojmë nga të gjithë ju, t’i kryeni obligimet dhe përgjegjësit institucionale dhe të angazhoheni që shqetësimet e zjarrfikësve për gjendjen e krijuar të jenë edhe shqetësime tuaja”, thuhet në njoftim.

Zjarrfikësit kanë paralajmëruar protesta nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.

“Mos na detyroni që kërkesat tona të drejta t’i kërkojmë në forma të tjera, mos na detyroni që të protestojmë. Nuk është vendi i zjarrfikësve në rrugë, por në shërbim të qytetarëve. Andaj veproni, ndryshe pasojat do t’i bartni ju, nëse Qeveria nuk siguron mjete për të kryer obligimet ligjore, zjarrfikësit do të protestojnë, zjarrfikësit e kanë humbur durimin”, thuhet në njoftim.

Sindikata thotë se për vite me radhë institucioneve të vendit u janë drejtuar për kërkesat minimale, mjete për kompensimin e ndërrimeve të natës, festave shtetërore dhe orëve jashtë orarit, të garantuara me ligjet ne fuqi, kërkesa të drejta, të cilat zjarrfikësit nuk i realizuan që nga paslufta. Dhe për habi, sipas tyre, askush nuk u interesua që zjarrfikësve t’u krijohen kushte për punë dhe të drejtat legjitime që u takojnë.

“Të gjitha institucionet janë të njoftuara me problemet e zjarrfikësve, që zjarrfikësit janë pa përkujdesje institucionale dhe kjo neglizhencë ka irrituar dhe revoltuar ka shkaktuar pakënaqësi të shumta dhe zjarrfikësit nuk janë në gjendje që këtë situatë ta përballojnë pa kufi. Jemi në gjendje që për të shpëtuar jetë të rrezikojmë edhe jetën tona, por nuk jemi të gatshëm që për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësive të institucioneve të jemi të rrezikuar. Zjarrfikësit nuk kanë kushte minimale për punë. Andaj veproni sa nuk është bërë vonë, është momenti i fundit të reflektoni pozitivisht”, thuhet në njoftim.

Kërkesat janë:

1- Që koeficienti të nivelohet në nivel vendi në vlerë 6-të

2- Të nivelohet rrezikshmëria me Policinë e Kosovës,

3- Të nisë kompensimi i ndërrimeve të natës, festave, orëve jashtë orarit , festat shtetërore dhe fetare

4- Të sigurohen mjete për pajisje, të cikat janë në mungesë, pajisje edhe personale,

5- Të kompensohen mjetet për shpenzime mjekësore për lëndime në vendin e punës.