Zjarret pyjore në Korenë e Jugut, rritet në 24 numri i viktimave

Është rritur në 24 numri i personave që kanë humbur jetën në zjarret pyjore në juglindje të Koresë së Jugut, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të agjencisë Yonhap, autoritetet kanë deklaruar se numri i të vdekurve nga zjarret pyjore që shpërthyen në juglindje të vendit është rritur në 24.

Një tempull historik në rajonin Uiseong u shkatërrua gjithashtu nga zjarri ndërsa sendet me vlerë brenda tempullit u dërguan në zona të ndryshme.

Autoritetet njoftuan se ndërhyrja ndaj zjarreve vazhdon me mobilizimin e mijëra personave.

  • Zjarret dogjën 17 mijë hektarë sipërfaqe pyjore

Si pasojë e zjarreve pyjore, autoritetet thanë se nga zjarret pyjore u dogjën 17 mijë hektarë sipërfaqe pyjore, ndërsa 209 struktura u shkatërruan.

Autoritetet njoftuan se për të ndihmuar në luftën për shuarjen e zjarreve pyjore janë mobilizuar një personel i ushtrisë prej rreth 5.000 personash si dhe 146 helikopterë.

Han Duck-soo, i cili u bë sërish president në detyrë pasi kërkesa për shkarkim u refuzua në Korenë e Jugut, ka theksuar në deklaratën e tij se duhet të bëhen përpjekje të gjithanshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve në pyje.

Ai zjarret pyjore i përshkroi si “zjarret më të këqija deri më tani”.

  • Rrëzohet një helikopter gjatë ndërhyrjes për shuarjen e zjarreve

Në një deklaratë nga Shërbimi Pyjor i Koresë së Jugut thuhet se një helikopter zjarrfikës u rrëzua gjatë ndërhyrjes ndaj zjarreve në pyje në Uiseong.

Piloti 73-vjeçar i helikopterit për të cilin thuhet se është rrëzuar në një mal, ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Mësohet se pas aksidentit të gjithë helikopterët zjarrfikës janë ulur në tokë dhe se po hetohet shkaku i ngjarjes.

Kompanitë kryesore në Korenë e Jugut kanë dhënë donacione për të ndihmuar banorët e zonave të prekura nga zjarret në pyje. Gjiganti i teknologjisë “Samsung” njoftoi një donacion prej 2 milionë dollarësh ndërsa “Hyundai” dhuroi mbi 1.3 milion dollarë.

  • Zjarret pyjore në Korenë e Jugut

Qeveria e Koresë së Jugut shpalli gjendje të katastrofës kombëtare për shkak të zjarreve në pyje në rajonet juglindore, përfshirë qytetin Ulsan dhe rajonet Gyeongsang të Veriut dhe Gyeongsang të Jugut.

Në zjarret që shpërthyen në Sancheong më 21 mars dhe që u përhapën në zonën përreth, përfshirë qytetin Ulsan u plagosën 15 persona ndërsa mbi 3.300 të tjerë u evakuuan.

Në të gjithë vendin janë raportuar zjarre pyjore në 16 pika të ndryshme ndërsa janë djegur mijëra hektarë sipërfaqe pyjore.

Ministria e Drejtësisë në një deklaratë tha se shumë të burgosur në rajonin Cheongsong janë evakuuar në burgje në rajonet që nuk janë prekur nga zjarri.