Flakët që po përhapen me shpejtësi në rajonin e njohur për prodhimin e verës në Kaliforni, i kanë marrë jetën të paktën 15 personave, dhe kanë shkatërruar më shumë se 2000 struktura.
Autoritetet vlerësojnë se 17 vatra zjarri, grupi i parë i të cilave nisi mbrëmjen e së dielës, kanë djegur mbi 115 mijë hektarë përgjatë 8 konteve.
Të paktën 100 janë të plagosurit dhe autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet. Gjendja e emergjencës u shpall në zonat veriore dhe mbi 20 mijë vetë u detyruan të evakuohen nga kontetë e Napa-s, Sonoma-s dhe Juba-s, si pasojë e zjarreve më të rënda që ka përjetuar ndonjëherë shteti.
Një situatë e tillë është më e zakonshme në Kaliforninë e Jugut, por ndërthurja e thatësirës me erërat e forta, rezultoi fatale edhe për Veriun. Presidenti amerikan Donald Trump miratoi gjendjen e emergjencës, duke lejuar kështu dërgimin e ndihmave federale.
Lufta e zjarrfikësve me flakët nuk pritet të zbutet gjatë ditëve në vazhdim, pasi sipas ekspertëve nuk pritet të ketë rreshje shiu. Ata parashikojnë thatësirë dhe erë edhe në vazhdim.
Ndërkaq në Kaliforninë e Jugut, një tjetër vatër zjarri dogji 24 shtëpi e godina të tjera në zonën e pasur të Anaheim Hills të kontesë Portokalli, duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.