Fatmirësisht flakët e zjarrit nuk dëmtuan njësitë kryesore të termocentralit në Kemerkoy në pjesën jugperëndimore të Turqisë.
Zyrtarët bën me dije se pas evakuimit të objektit njësitë kryesore të termocentralit nuk u dëmtuan seriozisht .
Punonjësit dhe banorët në zonat e afërta u evakuuan përmes një anije të marinës ndërsa erërat e forta nxisnin flakët.
Tetë persona kanë humbur jetën në Turqi për shkak të zjarreve. Më shumë se 150 vatra kanë shpërthyer javën e fundit, të cilat presidenti Erdogan i cilësoi si më të rëndat në historinë e vendit.
Po ashtu shumë rajone greke janë përfshirë nga flakët.
Një zjarr i shpejtë në ishullin grek të Evia shpërtheu nëpër pyje të dendura pishe duke bërë që banorët të largohen. Zjarri, i përkeqësuar nga ndryshimi i erërave, i detyroi autoritetet të evakuojnë gati një duzinë fshatrash. Flakët mbërritën deri ne det, duke djegur qindra shtëpi e pemë.
Greqia po përballet me valën e saj më të rëndë të të nxehtit në 30 vjet dhe rreziku mbeti i lartë për ditët e ardhshme në shumicën e vendit. Temperaturat tejkaluan 40 gradë Celsius për ditën e tretë.
Evropa po përjeton mot ekstrem këtë verë, nga përmbytjet e mëdha deri në valët e nxehta dhe zjarret. /euronews