Gjendja me zjarret në Maqedoni është alarmante, bëjnë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza, nga ku informojnë se në shumë vende zjarret janë aktive dhe po përhapen, ndërkohë që në fshatin Mogillë në jug të vendit janë djegur tërësisht katër shtëpi.
Zjarri është aktiv edhe në rajonin e Shkupit, më konkretisht në fshatrat Oreshan, Radushë dhe Moranë ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 100 hektarë që ka vënë në rrezik shtëpitë, ndërkohë që njoftohet se banorët e fshatrave tashmë kanë evakuuar kafshët.
Nga shkaku i zjarreve kanë pësuar shtyllat elektrike, për çka EVN njoftoi se në Bogomillë, Oreshe, Papradishtë nuk do të ketë furnizim me energji elektrike.
Mbrëmë është gjetur trupi i djegur i një personi të pajetë në fushën e fshatit Luboten të Shkupit, njoftoi SPB-Shkup.
Zjarri në fshatin Oreshan të Komunës së Zelenikovës po i afrohet edhe fshatit Vrezhallë, ndërsa në malet e fshatit Moranë flakët po përhapen vazhdimisht.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU) rikujton për ndalesën e pjesshme për lëvizje në pyje me dedikim ekonomik nga 15 korriku deri më 15 gusht e cila veçmë ka qenë e publikuar në opinion.
MBPEU njëherit informon se është e ndaluar djegie e kashtës, barërave dhe mbeturinave tjera bimore në vende gjuetie dhe mbeturina tjera bujqësore në tokë bujqësore si masë parandaluese për mbrojtjen e zjarreve pyjore.
Më tej ministria apelon deri tek qytetarët në këtë periudhë të vitit, për shkak sigurisë së tyre, të përmbahen nga shkaktimi i dëmeve në pyje, ndezjes së zjarrit të hapur në pyll, shfrytëzimin e materialeve të cilat digjen lehtë.