Nëntë pacientë me Covid kanë ndërruar jetë pas një zjarri që ra në spitalin rumun, konkretisht në njësinë e kujdesit intensiv. Reuters raporton se ky është zjarri i tretë vdekjeprurës në spitalet Rumune në më pak se një vit.
Forcat zjarrfikëse shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes për të shuar flakët, e ndërkohë ishte e pamundur që 9 pacientët të shpëtoheshin. Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, por dyshohet për një defekt teknik, dhe prania e oksigjenit ka përhapur flakët.
Pamjet e publikuara tregojnë pacientë duke u hedhur nga dritaret e spitalit, ndërsa zjarrfikësit shpëtonin pacientë të tjerë.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Rumani, 113 pacientë ishin në spital në kohën kur ra zjarri, përfshirë 10 në njësinë e kujdesit intensiv. Pacientë të tjerë kanë arritur të shpëtojnë, dhe janë transferuar në spitale të tjera.
Nga dita e djeshme, 12 mijë pacientë, përfshirë 315 fëmijë trajtohen në spitalet rumune, ndërsa 1364 janë në terapi intensive.
Rumania ka shkallën e dytë më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian me 27 vende. Në muajin shkurt, një zjarr i shkaktuar brenda një spitali në Bukuresht i mori jetën katër pacientëve me Covid.
Nëntorin e kaluar 10 persona vdiqën në një njësi të kujdesit intensiv në spitalin e qarkut Piatra Neamt. Edhe para pandemisë, sistemi i kujdesit shëndetësor të Rumanisë ishte nën presion, i nxitur nga korrupsioni, joefikasiteti dhe menaxhimi i politizuar. Vendi ka një nga infrastrukturat e kujdesit shëndetësor më pak të zhvilluara të BE -së.
Ngjarja vjen pas tragjedisë në Tetovë, ku ndërruan jetë 14 persona si pasojë e zjarrit që ra në spitalin Covid. /tiranapost