JERUSALEM (AA) – Pasi Lëvizja e Rezistencës Palestineze Hamas pohoi se Shërbimi Informativ i Izraelit ka vrarë avioinxhinierin tunizian Muhammed Zevvari për të cilin njoftuan se ishte pjesëtar i tyre, fokusi sërish është kthyer kah MOSSAD-i.
Anadolu Agency (AA) ka nxjerrë listën e liderëve dhe komandantëve palestinezë për të cilët thuhet se kanë qenë shënjestër e atentateve nga ana e MOSSAD-it në rajone të ndryshme. Megjithëse Izraeli nuk ka marrë përsipër haptazi shumicën e këtyre atentateve, gjetjet çojnë kah ajo.
Zinxhiri i atentateve nga viti 1970 deri në vitin 1980
• Gassan Kenfani
Letrari i famshëm palestinez dhe njëri nga liderët e Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, Gassan Kenfani, më 8 qershor të vitit 1972 humbi jetën si pasojë e aktivizimit të një mjeti shpërthyes të vendosur në makinën e tij në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.
• Mahmud Hemsheri
Përfaqësuesi i Organizatës Çlirimtare Palestineze (PLO) në Francë, Mahmud Hemsheri ndërroi jetë si pasojë e një sulmi me bombë në Francë më 8 dhjetor të vitit 1972.
• Huseyin El Beshir
Huseyin El Beshir, përfaqësuesi i Lëvizjes Fatah në Qipro, humbi jetën si rezultat i shpërthimit të një bombe të vendosur në dhomën e tij në një hotel në Nikozia.
• Muhammed Nexhar, Kemal Advan dhe Kemal Nasir
Në një operacion të realizuar në Bejrut më 10 pril të vitit 1973 nga një njësi e MOSSAD-it, u vranë njëri nga komandantët e Lëvizjes Fatah dhe PLO-së Muhammed Nexhar, anëtari i Komitetit qendror të Fatah Kemal Advan dhe zëdhënësi i PLO-së Kemal Nasir.
• Hasan Selamet
Ndërkaq, Hasan Selamet, një nga emrat e rëndësishëm të Lëvizjes Fatah, humbi jetën më 22 janar të vitit 1979 si pasojë e shpërthimit të një bombe të vendosur në makinën e tij në Bejrut.
Zinxhiri i atentateve nga viti 1980 deri në vitin 1990
• Halil El Vezir
Halil El Vezir, njeriu i dytë i Lëvizjes Fatah, u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në kryeqytetin tunizian, Tunis.
Sipas burimeve izraelite, 24 punonjës të MOSSAD-it të cilët natën e atentatit u afruan drejt brigjeve të Tunizisë me barka, bastisën shtëpinë e El Vezirit në rajonin Seyyidi Busaid në Tunis dhe e vranë atë brenda. Trupi i pajetë i El Vezirit u varros në kryeqytetin e Sirisë, Damask, me pjesëmarrjen e një turme të madhe njerëzish.
Zinxhiri i atentateve nga viti 1990 deri në vitin 2000
• Atif Besisu
Anëtari i Lëvizjes Fatah dhe përgjegjësi i njësitit të sigurisë pranë PLO-së, Atif Besisu, më 8 qershor të vitit 1992 u vra në kryeqytetin francez, Paris.
Përgjegjësinë për vdekjen e Besisu-t Fatah hodhi mbi MOSSAD-in, ndërkohë që Izraeli fajësonte Besisu-n për pjsëmarrje në rrëmbimin dhe vrasjen e sportistëve izraelitë gjatë Lojërave Olimpike në Mynih në vitin 1972.
• Fethi Shikaki
Fethi Shikaki, themeluesi dhe Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Islamike Xhihadiste të Palestinës, ishte viktimë e atentatit në Malta, ku gjendej rrugës gjatë kthimit të tij nga vizita “e fshehtë” që bëri në Libi më 26 tetor të vitit 1995.
Në shtojcën javore të botimit të datës 8 qershor 2007 të gazetës izraelite Yediot Ahronot u publikuan citime nga libri “Pika pa kthim” të gazetarit Ronen Bergman, ku deklarohej se prapa vrasjes së Shikakit qëndron MOSSAD.
Në librin në fjalë thuhej se kryeministri i atëhershëm izraelit Yitzhak Rabin kishte dhënë urdhrin për vrasjen e Shikakit pasi Lëvizja Islamike Xhihadiste kishte vrarë 22 izraelitë në një aktivitet të organizuar.
Tentativa për atentat ndaj Halid Meshal
Tentativa për atentat ndaj liderit të Byrosë Politike të Hamasit, Halid Meshal, konsiderohet si aktiviteti më i dështuar në historinë e MOSSAD-it.
Me direktiva të kryeministrit Benjamin Netanyahu, 10 agjentë të MOSSAD-it që hynë në Jordani me pasaporta të Kanadasë më 25 shtator të vitit 1997, ndërmorrën tentativë për atentat ndaj Halid Meshal i cili po ecte në rrugën “Vasfi Tell” në Amman duke injektuar materie helmuese prapa veshit të tij.
Me të marrë lajmin për atentatin ndaj Halid Meshal i cili u transferua në spital, autoritetet jordaneze menjëherë arritën të kapin dy punonjës të MOSSAD-it.
Në ngjarje ndërhyri edhe mbreti i atëhershëm i Jordanisë Huseyin Bin Talal, i cili kërkoi nga Netanyahu kundërhelmin dhe në këtë mënyrë mundësoi shpëtimin e Meshalit.
Krahas kundërhelmit që shpëtoi jetën e Halid Meshal, Jordania ia ktheu Izraelit agjentët e MOSSAD-it, me kusht që Izraeli të lirojë liderin e Hamasit të dënuar me burgim të përjetshëm, Shejh Ahmed Yasin.
Zinxhiri i atentateve nga viti 2000 deri më sot
• Izzeddin esh-Sheyh Halil
Njëri nga figurat e rëndësishme të Hamasit, Izzeddin esh-Sheyh Halil, më 26 shtator të vitit 2004 humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një bombe të vendosur në makinën e tij në kryeqytetin e Sirisë, Damask. Liderët e Hamasit theksuan se prapa vrasjes së Halilit qëndron Izraeli.
Ndërkaq, në deklaratën e atëhershme nga ministria e brendshme e Sirisë thuhej se Halil ndërroi jetë si pasojë e shpërthimit të bombës së vendosur nën kolltukun e shoferit.
Televizioni izraelit Kanal 2, sipas të dhënave të siguruara nga burimet e sigurisë izraelite atë kohë, kishte theksuar se prapa atentatit qëndron Izraeli.
Hamas dhe krahu i armatosur i tij El Kassam, në deklaratat që dhanë veç e veç, u zotuan për hakmarrje për Halilin.
Halil, i cili ishte një nga komandantët themelues të brigadave të El Kassam, pas një viti “arrest administrativ” në burgjet e Izraelit në vitin 1992, u dëbua për në Liban, për të kaluar më pas në Damask.
• Mahmud Mebhuh
Mahmud Mebhuh, një nga komandantët e rëndësishëm të brigadave të Izzedin El Kassam, akuzohej nga Izraeli për transportim armësh nga Irani në Gaza dhe rrëmbim dhe vrasje të dy ushtarëve izraelitë gjatë Intifadas së Parë në vitin 1987.
Më 19 janar të vitit 2010, Mebhuh u gjet i elektrizuar dhe më pas i mbytur me një metodë që i ngjante atentateve të MOSSAD-it, në dhomën e një hoteli në Dubai ku po qëndronte.
Njoftimi nga ana e policisë së Dubait për vdekjen e Mebhuh, u bë shkak i një tensioni serioz diplomatic midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit.
Emiratet e Bashkuara Arabe deklaruan se do të hapnin hetim në lidhje me vdekjen e Mebhuh. Si rezultat i punimeve të policisë së Dubait, u konfiskuan pasaportat dhe dokumentet e identifikimit të disa personave evropianë që u konsideruan si të dyshuar.
Ndërkohë, Hamas atë kohë kishte deklaruar se do të themelonte një komision për të hetuar se si u zhvillua atentati ndaj Mebhuh nga MOSSAD-i.
Televizioni izraelit Kanal 2, në një film të shkurtër të transmetuar pesë vite pas vrasjes së Mebhuh, hodhi në dritë mënyrën se si është realizuar dhe aludoi në përfshirjen e MOSSAD-it.
Sipas filmit në Kanal 2, pjesëtarët e MOSSAD-it, përmes një rrjeti të komunikimit të lartë teknologjik me qendër në Vjenë të Austrisë, përmes një operacioni që zgjati vetëm 22 minuta arritën të injektojnë materie vrasëse te Mebhuh.
Sipas filmit të njëjtë, Mebhuh bënte pjesë në krye të listës së personave të kërkuar nga Izraeli, ndërsa MOSSAD-i disa herë kishte ndërmarrë tentativa për atentat ndaj tij.
• Omer Nayif
Omer Nayif nga Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës, më 26 shkurt të vitit 2016 u vra në ambasadën e Palestinës në Bullgari.
Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës përgjegjësinë për vrasjen e Nayif e hodhi mbi Izraelin. Ministria e jashtme e Palestinës theksoi se Nayif është vrarë në mënyrë misterioze, ndërkohë që presidenti Mahmud Abbas dha vendimin për krijimin e një komisioni hetimor në lidhje me vrasjen e tij.
Në vitin 1986, Nayif u arrestua nga ushtarët e Izraelit me akuzën për vrasjen e një shtetasi izraelit. Nayif, i cili nga gjykata u dënua me burgim të përjetshëm, në vitin 1990 arriti të arratiset dhe të ikë në Bullgari.
Sipas lajmeve që dolën në shtypin izraelit pas vrasjes së Nayif, MOSSAD ka eliminuar Nayifin për të cilin ka pohuar se po përgatiste aktivitete kundër ushtrëve izraelitë në Bregun Perëndimor.
• Muhammed Zevvari
Muhammed Zevvari më 15 dhjetor u vra nga persona që u pohua të jenë të huaj para shtëpisë së tij në qytetin Safaks të Tunizisë.
Brigadat e Izeddin El Kassam, krahut të armatosur të Hamasit, duke theksuar se Zevvari ishte pjesëtarë i tyre, deklaruan se për atentatin ndaj tij përgjegjës është Izraeli.
Në deklaratën e El Kassam u theksua se Zevvari ishte njëri nga inxhinierët që realizuan projektin e fluturakeve pa pilotë me emrin “Ebabil”, për të cilat Izraeli për herë të parë njoftoi gjatë sulmit në vitin 2014.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Brendshme të Izraelit, Zevvari është vrarë në qytetin Safaks nga persona të paidentifikuar.