Sot e gjithë Italia do të jetë në Zi kombëtare për viktimat që humbën jetën nga tërmeti i ndodhur me 24 Gusht. Mediat raportojnë se numri i viktimave ka arritur në 284, pasi sot në mëngjes janë gjetur edhe tre trupa të pajetë nën rrënoja ndërsa 400 persona janë të plagosur.
Dëmet materiale në Amatrice janë të pallogaritshme, pasi është rrënuar gjithçka. Ditën e sotme do të përcillen për në banesënn e fundit, shumë prej viktimave të Ascoli Piceno. Të pranishëm në këtë ceremoni zie do të jenë edhe Presidenti i Republikës Sergio Mattarella, si dhe kryeministri Matteo Renzi. Një pjesë e funeraleve janë në morgun e spitalit ndërsa një pjesë tjetër pranë një palestre afër zonës së spitalit. Ndër to ka edhe funerale të fëmijëve, të cilët janë mbuluar me veshje të bardhë.
Për fat të keq vazhdojnë sërish lëkundjet sizmike në Italinë qendrore, duke mos ngjallur më asnjë shpresë. Mbrëmjen e djeshme janë regjistruar 25 lëkundje dhe më e forta ka patur magnitudë 3.2 ballë. Epiqendra e tërmetit vazhdon të jetë po e njëjta zonë, Ascoli dhe Provinca di Reti e Perugia.