Zhvillohet sot seanca ndaj Haradinajt e Gucatit, Prokuroria kërkon që gjykimi të nis në pranverë

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs sot do të mbajë konferencën e radhës për krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Sipas kalendarit të publikuar në faqen zyrtare, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe nënkryetari i organizatës, Nasim Haradinaj, do të dalin para Gjykatës Speciale në Hagë në ora 15:00.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën e parashtruar më 30 tetor 2020 nga Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gjykimi ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj mund të nis shumë më shpejtë se sa që është parashikuar. Kjo pasi që Prokuroria e Specializuar po kërkon që kjo të bëhet qysh në muajt e parë të këtij viti.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar parashtresat e veta për konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit e cila do të mbahet sot, shkruan lajmi.net.

Në dokumentet  të cilat i ka parë lajmi.net shihet se Prokurori i Specializuar ka nënvizuar faktin se do të sigurojë dëshmitë e plota dhe në bazë të rregullave të përcaktuara deri më 19 shkurt do të paraqesë provat.

“Disa nga informacionet e siguruara janë të përkohshme në këtë kohë. Sidoqoftë, ZPS parashikon që të jetë në gjendje të sigurojë dëshmi të plota dhe të ekspozojë listat deri më 19 shkurt”, thuhet në parashtresën e Prokurorisë së Specializuar.

Me këtë rast, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që gjykimi ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit të nis në pranverën e këtij viti.

“Duke iu nënshtruar masave të zbatueshme mbrojtëse dhe faktit se procedurat paraprake janë afër kompletimit, ZPS nuk sheh asnjë arsye pse gjykimi të mos caktohet për në pranverë”, thuhet në parashtresat e Prokurorit të Specializuar.

Tutje, ZPS thotë se në ditët e ardhshme do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore,  mirëpo se të njëjtat do të kryhen  gjatë fazës  paragjyqësore.

Kësisoj, zyra e Prokurorit Special parashikon që në gjyq të paraqes prova të dokumentuara, përfshirë materiale audio/video, raporte, fotografi dhe botime me burim të hapur.

Në këtë kuadër, në total Prokuroria e Hagës ka parashikuar që në gjyq të prezantojë 838 faqe prova, 18 orë e 59 minuta e 30 sekonda materiale audio-vizuele dhe 52 transkripte, raporton më tutje lajmi.net.

Gjithsej janë 27 materiale audio/video dhe katër raporte. Ndërkaq, në bazë të tabelës së paraqitur, nuk është planifikuar paraqitja e ndonjë dëshmie nga ndonjë dëshmitar i mundshëm.

Sidoqoftë ndaj afateve të propozuara nga Prokurori Special, pritet që të përgjigjet mbrojtja e Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Aktakuza kundër Hysni Gucatit u konfirmua më 11 dhjetor, teksa u bë publike tri ditë më vonë.

Ndaj tyre është mbajtur seanca e parë pas konfirmimit të aktakuzës, teksa për fajësinë është deklaruar vetëm Gucati.