Reprezentuesi i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova do të jetë titullar te skuadra e Lillet në duelin kundër Bolognas.
Dueli Bologna – Lille, luhet sonte prej orës 21:00 në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kampionëve.
Zhegrova ishte në dyshim për këtë ndeshje shkaku i lëndimit të muskulit që e pësoi vikendin e shkuar në kampionat, por nga Lille kanë bërë të ditur se sulmuesi i krahut është rikuperuar dhe i gatshëm për të luajtur.
Në fakt, Zhegrova pritet të jetë kërcënimi kryesor për Bolognan, duke pasur parasysh se këtë sezon është lojtari kryesor i Lillet.
Në Champions, Zhegrova ka 1 gol e 1 asistim në katër paraqitje kurse në total deri më tani, ai ka realizuar 8 gola dhe ka bërë 2 asistime në të gjitha garat.
Aktualisht, Lille ka tubuar 7 pikë pas katër ndeshjeve në Champions kurse Bologna ka vetëm 1 pikë dhe është në kërkim të fitores së parë këtë sezon në këtë garë.