Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se jehona e daljes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në orën 20:45 është 50,86 për qind apo 830.370 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kreu i KSHZ-së, Oliver Derskoski, njoftoi se kjo shifër përfshin 3.466 vendvotime të përpunuara nga gjithsej 3.480 vendvotime në mbarë territorin e vendit. Procesi i votimit u hap në orën 07:00 të mëngjesit dhe siç njoftoi kreu i KSHZ-së të gjitha u mbyllën siç ishte parashikuar në orën 21:00.
Derskoski theksoi se jehona e votuesve në njësinë zgjedhore numër 1 është 52,17 për qind, në njësinë zgjedhore numër 2 është 47,97 për qind, në njësinë zgjedhore numër 3 është 57,37 për qind, në njësinë zgjedhore numër 4 është 59,79 për qind, në njësinë zgjedhore numër 5 është 50,16 për qind si dhe në njësinë zgjedhore numër 6 është 39,23 për qind.
Më tej, kreu i KSHZ-së deklaroi se procesi i votimit kaloi në një gjendje të ndërlikuar shkaku i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), megjithatë shtoi ai, “votimi kaloi në mënyrë të shkëlqyer, me disa përjashtime të vogla”.
“Uroj qytetarët për kapacitetin demokratik të shprehur gjatë kësaj dite të zgjedhjeve”, tha Derskoski.
Sonte më vonë, pritet që KSHZ të dalë me rezultatet e para të zgjedhjeve të sotme.
Sipas Listës Zgjedhore të KSHZ-së, të drejtë vote kishin 1.814.263 qytetarë për të zgjedhur 120 ulëse në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku në garë morën pjesë 15 koalicione dhe parti politike me 1.560 kandidatë.
Procesi i votimit në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të parë po zhvillohet tre ditë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Në dy ditët e kaluara votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe ato në vetizolim, si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur.