Zgjedhjet në veri, Lajçak dhe komandanti i KFOR-it flasin për sigurinë

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Angelo Ristuccia.

Lajçak në postim në Twitter ka thënë se është informuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

“Jam takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Ristuccia sot në Bruksel për të shkëmbyer të reja në fushat tona përkatëse të përgjegjësisë. Jam falënderues për bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe për informatat e vlefshme për situatën e sigurisë në veri të Kosovës”, shkroi Lajçak në Twitter.

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Por, për dallim nga herët e kaluara, në këto zgjedhje – që bojkotohen nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – votimet, përveçse në disa shkolla, do të mbahen edhe në kontejnerë.

Për zgjedhjet për katër kryetarët në veri do të garojnë 11 kandidatë, dy prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb.

Subjektet në garë janë: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.