Zgjedhjet në SHBA: Gjermanët mbështesin Harrisin, të shqetësuar për kthimin e Trumpit

Gjermanët po ndjekin nga afër përgatitjet e SHBA-së për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, me shumë prej tyre që shprehin shqetësim të thellë për mundësinë e kthimit të ish-presidentit Donald Trump në detyrë.

Sipas një sondazhi nga Instituti Forsa, 66 për qind e gjermanëve janë të shqetësuar për rizgjedhjen e mundshme të republikanit Trump dhe një shumicë dërrmuese prej 77 për qind mbështesin kandidaten demokrate Kamala Harris.

Stefan Hetze, menaxher komercial, shpreson për një fitore të Harrisit, duke kujtuar mandatin e Trumpit gjatë viteve 2017-2021 si një periudhë skandalesh dhe tensionesh diplomatike.

“Unë mendoj se Gjermania i shikon zgjedhjet në SHBA me shumë ankth, natyrisht me shqetësim se çfarë do të ndodhte nëse Trump fiton”, tha Hetze për Anadolu.

“Ai nuk e ka arritur këtë ende, por nëse fiton, një përshkallëzim është tashmë i parashikueshëm. E kemi parë tashmë këtë në të kaluarën, se si Trump e shikonte Gjermaninë ndërsa ishte president, si e trajtonte kancelaren tonë. Ky ishte tashmë një skandal në atë kohë”, u shpreh ai.

“Mendoj se do të ishte një fat nëse fiton Kamala Harris, pa dyshim edhe për Evropën dhe Gjermaninë”, shtoi Hetze.

Marrëdhënia midis Trumpit dhe ish-kancelares gjermane Angela Merkel u karakterizua nga tensione të dukshme, që rridhnin nga mosmarrëveshjet themelore mbi politikën dhe dallimet e forta në stilet e lidershipit.

Politika e Trumpit “Amerika e para” shpesh binte ndesh me angazhimin e Merkelit ndaj multilateralizmit dhe BE-së. Kritikat e ish-presidentit ndaj suficitit tregtar të Gjermanisë me SHBA-në dhe kërkesat e tij për rritjen e shpenzimeve të NATO-s nga aleatët evropianë, veçanërisht Berlini, i tendosën më tej marrëdhëniet.

Lothar Koch, pensionist gjerman, vuri në dukje se sulmi i vitit 2021 mbi Kapitolin e SHBA-së dhe problemet e mëvonshme ligjore të Trumpit kanë gërryer ndjeshëm besimin e publikut në angazhimin e tij ndaj parimeve demokratike.

“Jam shumë pesimist. Një fitore e Trumpit do të ishte katastrofike, jo vetëm për Amerikën, por edhe për strukturën morale të njerëzimit në tërësi”, tha Koch për Anadolu.

“Fakti që dikush me një precedent të tillë kriminal mund të zgjidhet president i një kombi kaq me ndikim duhet të jetë alarmues për të gjithë. Ata që nuk shqetësohen për këtë mundësi duhet të pyesin veten e tyre”, tha ai.

“Është në të vërtetë një perspektivë e tmerrshme dhe Evropa është sigurisht veçanërisht e prekur, posaçërisht gjatë konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Këto janë rrethana katastrofike, nëse Trump me injorancën e tij të pabesueshme bëhet sërish president, do të ishte një katastrofë”, shprehet Koch.

– “Harris do të ishte alternativa më e mirë”

Sondazhet e fundit tregojnë një preferencë të fortë në Gjermani për zëvendëspresidenten Harris, me sa duket të ndikuar nga deklaratat e saj mbi parimet demokratike, multilateralizmin dhe rëndësinë e lidhjeve transatlantike.

Theksi i saj në një qasje shumëpalëshe dhe bashkëpunim ndërkombëtar është në kontrast të plotë me qasjen e njëanshme të shumëkritikuar të Trumpit.

“Shpresoj që Kamala Harris të fitojë. Nusja ime është nga SHBA-ja dhe është shumë e rëndësishme për ne që Trump të mos marrë një mandat tjetër në detyrë”, thotë për Anadolu, Dzintra Kottmann, një konsulente e lartë.

Një fitore e Harrisit do të ishte e mirë për SHBA-në dhe marrëdhëniet e saj me Gjermaninë dhe Evropën, tha ajo.

“Nëse fiton Kamala Harris, shpresojmë se gjërat do të funksionojnë përsëri më mirë brenda NATO-s; SHBA-ja do të mbetet një partner aktiv në NATO, do të kishte më pak tensione dhe situata e përgjithshme politike do të qetësohej pak”, shtoi ajo.

Kottmann gjithashtu theksoi se shumë gra e mbështesin Harrisin, pasi ajo do të ishte gruaja e parë që do të mbante postin më të lartë në SHBA.

“Unë mendoj se është një hap i madh për shumë amerikanë të votojnë për një grua. Kjo ndoshta është e vështirë për disa dhe shpresoj se do të funksionojë”, tha ajo.

Ndërsa shumë gjermanë preferojnë Harrisin para Trumpit, ekziston gjithashtu një perceptim në rritje se Trump mund të dalë fitimtar, pasi premtimet e tij për të frenuar imigracionin e paligjshëm, për të ulur taksat dhe për të rritur investimet po tërheqin votuesit amerikanë të shqetësuar për çështjet ekonomike.

Carlos Sperling, një student i ri nga Berlini, tha se ndërsa fitorja e Harrisit duket të jetë një rezultat shumë më i mirë për Evropën dhe Gjermaninë, propozimet e politikave të Trumpit për të adresuar problemet e brendshme duken më të arsyeshme.

“Për marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-së, do të thoja qartë se Harris do të ishte alternativa më e mirë, për shkak të këtyre tarifave ekonomike dhe gjërave që Trump dëshiron të vendosë, të cilat sigurisht do të ishin problematike për ekonominë tonë”, shpjegoi ai.

“Por nëse e shikoni nga perspektiva tjetër, nga perspektiva amerikane, më duhet të them se Trump do të ishte zgjidhja më e mirë për qytetarët amerikanë. Ai kujdeset më shumë për popullsinë, ai dëshiron që ata të fitojnë më shumë, ka një krizë imigracioni edhe në SHBA, dhe kështu duhet të them se Trump ka zgjidhje më të mira për popullatën”, shtoi Sperling.

– Zgjedhjet në SHBA vendimtare për Evropën dhe Gjermaninë

Bizneset gjermane janë veçanërisht të shqetësuara për planet e Trumpit për të rritur ndjeshëm tarifat për importet e huaja, pasi SHBA-ja mbetet tregu më i madh i eksportit për kompanitë gjermane.

Në vitin 2023, eksportet në SHBA arritën në 158 miliardë euro, duke përbërë 10 për qind të totalit të Gjermanisë.

Një studim i fundit nga Instituti për Kërkime Ekonomike Ifo zbuloi se 44 për qind e kompanive industriale në Gjermani presin efekte negative në operacionet e tyre nëse Trump bëhet president.

Kjo përfshin kompanitë që vetë nuk kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta eksporti, importi ose prodhimi me SHBA-në, por mbase mund të ndikohen në mënyrë indirekte nga tarifat e planifikuara të Trumpit.

Bernd Althusmann, ish-deputet konservator gjerman, pranoi sfidat e mundshme në marrëdhëniet SHBA-Gjermani pas zgjedhjeve, por gjithashtu shprehu kujdes, duke deklaruar se lidhjet dypalëshe midis dy aleatëve të NATO-s janë mjaft të forta për të menaxhuar çdo dallim të mundshëm.

“Është një partneritet i fortë mes Gjermanisë dhe SHBA-së dhe ne duhet të punojmë së bashku kushdo që bëhet president. Kjo marrëdhënie e fortë është për sigurinë tonë dhe për zhvillimin tonë ekonomik për vitet e ardhshme”, tha ai për Anadolu.

Althusmann tha se administrata e ardhshme e SHBA-së ka të ngjarë të rrisë pritshmëritë e saj nga Evropa, dhe veçanërisht nga Gjermania, në lidhje me politikën e jashtme dhe të mbrojtjes dhe çështjet ekonomike ndërkombëtare.

“Këto zgjedhje do të kenë një ndikim të madh në marrëdhëniet midis Amerikës së Veriut, veçanërisht SHBA-së, dhe BE-së, dhe rrjedhimisht për Gjermaninë”, tha ai.

“Duhet të punojmë shumë në vitet e ardhshme për të menaxhuar krizat në mbarë botën, veçanërisht në konkurrencën midis Azisë, e posaçërisht Kinës, dhe SHBA-së ose Amerikës së Veriut dhe kontinentit evropian”, thekson Althusmann.

Trump është zotuar se do të vazhdojë politikën e tij “Amerika e para” nëse rizgjidhet, duke theksuar nevojën për të mbrojtur vendet e punës dhe industritë amerikane.

Ai ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Kinës dhe ka thënë vazhdimisht gjatë fushatës së tij zgjedhore se do të vendosë tarifa më të larta për importet kineze.

Lidhur me NATO-n, Trump ka kritikuar hapur Gjermaninë dhe aleatët evropianë, duke këmbëngulur se ata duhet të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes dhe të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë ndërkombëtare, duke lënë të kuptohet se SHBA-ja mund të rivlerësojë angazhimin e saj ndaj NATO-s nëse vendet evropiane nuk arrijnë të ndajnë barrën.