Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar fitoren ndaj COVID-19, duke e bërë Izraelin “vendin e vaksinuar”. Por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme kur izraelitët, me maska të detyrueshme në fytyrë, të hedhin votat për zgjedhjet e së martës.
Z. Netanyahu e ka shfrytëzuar faktin që Izraeli është bërë vendi me përqindjen më të lartë të vaksinimit në botë për fushatën e tij në këto zgjedhje, të katërtat brenda dy vjetëve.
Ai dha një vlerësim të matur për shanset e tij, ndërkohë që sondazhet e fundit të opinionit flasin për një garë të ngushtë.
“Ende më duhen një ose dy vende në parlament për të patur një qeveri të qëndrueshme,” tha ai të dielën në Radion e Ushtrisë. Komentet e tij ishin me sa duket një përpjekje strategjike për të mobilizuar mbështetësit e partisë së tij të djathtë Likud për të dalë në votime.
Sondazhet flasin për një pozicionim të mirë të Likud-it në fushatë, duke i dhënë rreth 60 vende koalicionit të udhëhequr nga Netanyahu, që përfshin parti hebraike konservatore dhe ultra-ortodokse. Ky numër është ende i pamjaftueshëm për të patur shumicën në parlamentin me 120 vende.
Por sondazhet tregojnë se një aleancë e mundshme, megjithëse e pazakontë, e fraksioneve të krahut të majtë, të qendrës dhe të djathtë, të udhëhequr ndoshta nga rivali më i fortë i Netanyahut në sondazhe – centristi Yair Lapid i partisë Yesh Atid – do të ishte gjithashtu afër 60 vendeve.
Asnjë parti nuk ka fituar kurrë e vetme shumicën parlamentare në Izraelin e polarizuar politikisht. Rezultatet e natës së zgjedhjeve mund të jenë vetëm një fillim, sepse do të jenë bisedimet pas dyerve të mbyllura për koalicionin që do të përcaktojnë nëse “Mbreti Bibi” do të qeverisë përsëri.
Ka kaluar koha e posterave gjigandë të Netanyahut që tregonin një shtrëngim duarsh me aleatin Donald Trump, i cili u mund në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Ndërkaq, me demokratin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, ka patur pak mundësi për lëvizje diplomatike me SHBA që të mund t’i ndihmonin shanset e Netanyahut për t’u zgjedhur.
Udhëheqësi më jetëgjatë në politikën izraelite, i cili është në gjyq nën akuza për korrupsion, të cilat ai i mohon, u përqëndrua gjatë fushatës në theksimin e rolit të tij për ta shndërruar Izraelin në atë që ai e quan “vendi i vaksinuar”.
Rreth gjysma e popullsisë është imunizuar me një ritëm që ka marrë vlerësime ndërkombëtare për Netanyahun por gjithashtu edhe thirrje që Izraeli të bëjë më shumë për vaksinimin e palestinezëve në territoret e pushtuara.
“Ne jemi kampionët botërorë në trajtimin e koronavirusit … Unë kam sjellë miliona doza vaksinash dhe do të sjell miliona të tjera”, tha Netanyahu gjatë fushatës, ndërsa dita e zgjedhjeve po afrohej.
Kundërshtarët politikë thonë se ai e trajtoi gabim pandeminë që nga fillimi, duke bërë që vendit t’i nevojiteshin tre bllokime kombëtare. /voa