Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar procesi i votimit në Komunën e Drenasit (Gllogocit) për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të kësaj komune. Fletëvotimet dhe materiali tjetër sensitiv është shpërndarë në të gjitha Vendvotimet sipas planifikimeve me Planin Operacional të miratuar nga KQZ-ja.
Gjithashtu, sipas raportit nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve, të gjitha Vendvotimet janë hapur në kohën e paraparë. Lista Përfundimtare e Votuesve e Certifikuar nga KQZ-ja përmban: 52 mijë e 569 emra të votuesve në këtë komunë, e cila ka 28 Qendra Votimi me gjithsej 72 Vendvotime.
Edhe koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” është duke vëzhguar procesin zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit.
Bazuar në të dhënat nga terreni, DnV informon se vetëm në dy nga 72 vendvotime ka pasur 10 minuta vonesë në hapje, për shkak të vonesës së komisionerëve.
Të gjitha materialet sensitive raportohet të janë në vendvotim.
Ndërkaq nuk janë evidentuar materiale propaganduese brenda perimetrit të ndaluar prej 100 metra nga qendra e votimit.
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” është duke vëzhguar procesin zgjedhor në të gjitha vendvotimet.
Demokracia në Veprim u bën thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin në zgjedhje për ta ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.