Zgjedhjet – fuqizues të demokracisë apo të imazhit demokratik?

Ditar Kabashi

Historia politike e shteteve ballkanike flet për shembuj të panumërt të akuzave për manipulim të zgjedhjeve. Përtej vërtetësisë së këtyre pretendimeve (kjo është detyrë e organeve hetuese), vetë dukuria e inkriminimit të subjekteve politike për cenim të procesit zgjedhor thotë shumë për kulturën politike dhe demokratike të kësaj hapësire.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Qeverisje e popullit, nga populli, për popullin. Ky është përkufizimi zëmadh i Abraham Lincoln-it për demokracinë. Sot, kur përmendet demokracia, aludimi i parë janë zgjedhjet. Zgjedhjet janë mjete që derivojnë nga natyra përfaqësuese e demokracisë moderne. Ato janë shëmbëllim i së drejtës universale të votës, e cila u jep qytetarëve të rritur, pa dallim gjinie, të drejtën për të votuar për subjektet që garojnë në zgjedhje.

Një tipar i demokracisë bashkëkohore: përfaqësimi

Një arsye që regjimet demokratike duhet të jenë përfaqësuese lidhet me faktin se njësia standarde e organizimit politik aktual është kryesisht “shteti-komb”.[1] Demokracia kërkon që një popull të marrë vendime bazike lidhur me jetesën e përbashkët. Megjithatë, në kohën tonë është fizikisht e pamundur që gjithë populli të mblidhet njëkohësisht për të diskutuar dhe për të marrë vendime publike, sikundërqë afirmon demokracia e drejtpërdrejtë. Shtetet bashkëkohore nuk ngjasojnë me poliset e dikurshme greke: janë më të mëdha numerikisht dhe me territor, andaj s’ka si të zbatohet demokracia e drejtpërdrejtë sikur në antikitet. Për këtë arsye, diskutimet dhe vendimmarrja në çështjet publike të sotshme kryhen nga ana e përfaqësuesve që supozohet të veprojnë “në emër të popullit”. Gjer më tani, mënyra më e arsyeshme për të përcaktuar se cilët do të jenë përfaqësuesit e popullit mbeten zgjedhjet, pra përmes votës së barabartë të të gjithë qytetarëve që i plotësojnë kushtet për të qenë zgjedhës.

Ç’është e vërteta, përfaqësimi nënkupton deri diku distancim nga ideja e demokracisë autentike, pasi fut ndërmjetës në procesin e vendimmarrjes politike. Një mënyrë për të kapërcyer pjesërisht këtë pengesë është zvogëlimi i organizimit politik, por hëpërhë njerëzimi nuk arrin të krijojë dot njësi më të vogla të organizimit politik se sa kombi. Duke qenë kështu, e vetmja mundësi që mbetet është krijimi i njësive vendimmarrëse demokratike në nivel më të ngushtë brenda çdo shteti-komb dhe kjo nënkupton vetëqeverisje lokale/vendore. Shkalla demokratike e njësive administrative vendore varet nga domeni i autoritetit të shoqërisë lokale në vendimmarrje, kuptohet përpos çështjeve të përgjithshme të pushtetit qendror, siç janë mbrojtja kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Në praktikë, kjo është realizuar në një masë të konsiderueshme në Amerikën e Veriut dhe në Europën Perëndimore, ku uniteti politik historikisht është ndërtuar në një masë të konsiderueshme në marrëdhënie nga poshtë-lart dhe ku është etabluar autonomia lokale.[2] Në anën tjetër, në vendet ku organizimi politik zhvillohet nga lart-poshtë dhe nga qendra në periferi dhe ku shfaqet shqetësimi i ndarjes/shkëputjes së regjioneve të caktuara, autonomia lokale e karakterit politiko-administrativ, zakonisht, nuk preferohet si rrugëzgjidhje dhe, për pasojë, fuqizohet centralizmi i pushtetit.

Një tjetër arsye që e bën të nevojshme demokracinë përfaqësuese është se demokracia e drejtpërdrejtë, megjithëse duket tërheqëse në baza parimore, ka disa të meta. Fillimisht, ky model, i cili parashikon që masat duhet të jenë drejtpërsëdrejti aktivë në vendimmarrje, e trason rrugën e trysnisë imponuese të shumicës mbi grupet/komunitetet që janë pakicë. Kur kësaj i shtohet edhe probabiliteti i manipulimit të masave në çështje të caktuara, pasi ato priren të veprojnë sipas preferencave emocionale (ideologjia, besimi, kulti i liderit, etj.) dhe më pak sipas arsyes, lind rreziku që demokracia e drejtpërdrejtë të kthehet në makth për të drejtat dhe liritë e njeriut. Së këndejmi, ndodh që referendumet, si një mjet demokratik gjysmë i drejtpërdrejtë, të kthehen në plebishit, dhe kësisoj të strukturohen regjimet autoritare. Vetëm gjatë qindvjeçarit të fundit, rastet e plebishiteve të politikanëve populistë si: Hitleri, Mussolini, Pinocheti, etj. dëshmojnë për keqpërdorimin e demokracisë së drejtpërdrejtë me qëllim të konsolidimit të regjimeve jodemokratike.[3] Në këtë kontekst, aplikimi tërësor i një demokracie të drejtpërdrejtë nuk është i përshtatshëm as për efikasitetin e vendimmarrjes së shpejtë.

Zgjedhjet si shprehje e vullnetit shoqëror

Zgjedhjet supozohet se janë mjet për të shfaqur vullnetin e përbashkët të shoqërisë. Megjithëkëtë, duke qenë se shoqëria përbëhet nga individë dhe grupe të dallueshme për nga vlerat, idealet dhe interesat, është e pamundur të flitet për ekzistencën e një vullneti që i përket gjithë shoqërisë si entitet i vetëm kolektiv. Prandaj, rezultati i zgjedhjeve per se nuk është vullneti i shoqërisë/vullneti kombëtar. Fryti i zgjedhjeve nuk është vullneti i të gjithë qytetarëve ose i të gjithë zgjedhësve, por është vullneti i shumicës nominale të atyre që kanë votuar sipas sistemit zgjedhor.[4] Shkurtimisht, shumica, në emër të së cilës veprojnë pushtetarët në demokraci, de facto nuk përbën shumicën e shoqërisë ose të kombit, por një pakicë të tyre. Për këtë shkak, politikat që ndiqen jo domosdo përputhen me preferencat e qytetarëve, sepse – fundja, logjikisht dhe teknikisht – është e pamundur të nxirret një preferencë e vetme kolektive nga miliona preferenca të ndryshme individuale. Madje, sipas botëkuptimit të etërve të shtetit amerikan, populli sovran është “kudo dhe asgjëkund”. Ai është kudo, në kuptimin që liria do të jetë e mbrojtur gjithmonë në rrafshin institucional. Dhe, nuk është askund, në kuptimin që asnjë institucion shtetëror nuk mund të pretendojë se është përfaqësues ekskluziv i gjithë popullit dhe as mishërues i vullnetit të përgjithshëm të popullit, sikurse në Kontratën Shoqërore të Rousseau-s (Rusosë).[5] Ndërkaq, duhet pasur parasysh se për aq sa zgjerohen të drejtat zgjedhore, rritet edhe nevoja për t’i zgjeruar ato tutje, meqenëse pas çdo lëshimi forca e demokracisë rritet dhe bashkë me forcën e saj rriten edhe kërkesat e saj.[6]

Rrjedhimisht, ndonëse pohohet se në demokraci ligjet duhet të reflektojnë vullnetin e qytetarëve, praktikisht ligjet janë produkt i interesave të pushtetarëve dhe mbështetësve të tyre, pazareve ndërmjet partive dhe grupeve të interesit.

Përkundër këtyre të metave, përparësi e demokracisë është se lejon ndërrimin paqësor të pushtetit. Organizimi i zgjedhjeve është mjet për t’i mbajtur përgjegjës pushtetarët ndaj veprimtarisë së tyre politike dhe për të ndikuar në proceset politike.

Demokraci = shumicë?

Demokracia nuk mund të reduktohet vetëm në një qasje mazhoritare. Përkundrazi, demokracia konsolidohet me pjesëmarrje, mirëkuptim dhe liri.[7] Po kështu, demokracia nuk mund të reduktohet as në procedura ligjore dhe institucione; ajo është një forcë shoqërore dhe politike që synon përshtatjen e shtetit të së drejtës me interesat e popullit.[8]

Një regjim demokratik nuk parakupton vullnet të pakufizuar të popullit, por edhe ushtrimi i pushtetit shtetëror duhet të jetë në harmoni me të drejtën. Ky është parakusht i konstitucionalizmit, i cili proklamon që themelimi dhe funksionimi i organeve shtetërore duhet të kufizohet sipas dispozitave kushtetuese dhe në respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut. Domethënë, personat që ushtrojnë autorizime shtetërore, sado të kenë legjitimitet demokratik në pozitën e tyre, duhet t’u përmbahen me përpikëri rregullave kushtetuese. Kjo lë të kuptohet që pushteti politik, edhe pse buron prej popullit përmes zgjedhjeve, kufizohet nga kushtetuta. Sheshazi vihet re një përplasje midis idesë së demokracisë dhe idesë së konstitucionalizmit, por që këto duhet të gjejnë ujdinë për të mirën e përgjithshme.[9] Prandaj, veti e demokracisë kushtetuese është pajtimi midis parimit të ushtrimit të forcës nga ana e shtetit dhe parimit të kontrollit dhe ekuilibrimit të pushteteve, për të shmangur modelet autokratike të sundimit.

Parë në këtë frymë, mund të thuhet se zgjedhjet janë zgjidhje përderisa i jetësojnë këto elemente.

Zgjedhjet dhe demokracia ballkanike

Historia politike e shteteve ballkanike flet për shembuj të panumërt të akuzave për manipulim të zgjedhjeve. Përtej vërtetësisë së këtyre pretendimeve (kjo është detyrë e organeve hetuese), vetë dukuria e inkriminimit të subjekteve politike për cenim të procesit zgjedhor thotë shumë për kulturën politike dhe demokratike të kësaj hapësire.

Në shtetet ballkanike hasen politikanë të cilët qëndrojnë në skenën politike (qoftë në pushtet a opozitë) për dekada të plota. Të tillët e kanë kthyer politikën në profesion aktiv, prej të cilit e ushqejnë jo vetëm stomakun, por dhe egon e vet. Për të mbetur vazhdimisht në qendër të vëmendjes publike dhe për t’i konservuar pozicionet e veta, ata nuk ngurrojnë nga zgjerimi i rrjetave patronazhiste me të gjitha segmentet e jetës publike, që nga biznesi e deri tek akademia. Këtu hyjnë edhe aleancat dhe koalicionet partiake “të panatyrshme” në baza ideologjike.

Për shumë politikanë ballkanas, zgjedhjet s’janë veçse një procedurë formale për legjitimim juridik të pushtetit faktik që kanë. Ndoshta kjo po kuptohet nga populli dhe andaj po rezultojnë pjesëmarrjet e ulëta në votime.

Zgjedhjet organizohen për ta fuqizuar stabilitetin shoqëror përmes një procesi legjitim votues. Ideja e zgjedhjeve të lira e demokratike është ngritur mbi premisën se pushteti nuk është pronë e asnjë subjekti politik. Kjo është veçoria më dalluese midis regjimeve moniste autokratike dhe atyre demokratike.

Zgjedhjet duhen mbajtur për ta fuqizuar demokracinë dhe jo sa për të krijuar imazhe demokratike.

[1] Mustafa Erdoğan, “Seçimler ve Demokrasi”. https://oad.org.tr/blog/secimler-ve-demokrasi/ (qasur më 19.5.2024).

[2] Mustafa Erdoğan, “Seçimler ve Demokrasi”.

[3] Rexhep Meidani, Mbi qeverisjen. Botimet Dudaj, Tiranë, 2009, f. 158.

[4] Mustafa Erdoğan, “Seçimler ve Demokrasi”.

[5] Manfred G. Schmidt, Teoritë e Demokracisë. Botart, Tiranë, 2012. f. 111.

[6] Alexis de Tocqueville (Aleksi de Tokëvil), Demokracia në Amerikë. Kristalina-KH, Tiranë, 2002, f. 35.

[7] Ergun Özbudun, Anayasalcılık ve Demokrasi. İstanbul Bilgi Üniversitesi Yayınları, 2017, f. 69.

[8] Alain Touraine, Demokrasi Nedir?. YKY Yayınları, İstanbul, 2015, s. 38.

[9] Kemal Gözler, Anayasa Hukukunun Genel Teorisi. Cilt 1, Ekin Basım Yayın Dağıtım, Bursa, 2020, f. 715.
/revistashenja