Zgjedhjet e parakohshme nuk janë opsioni më i mirë për Kosovën në këtë moment të zhvillimeve politike, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve të brendshme. Sipas tyre, janë disa faktorë që do të mund të ndikonin negativisht në këtë proces.
Fundi i pranverës apo fillimi i verës, janë përmendur si koha kur vendi do të mund të shkonte në zgjedhje për shkak të bllokadës politike në vendimmarrje, sidomos në Kuvendin e Kosovës.
Analisti nga Demokracia Plus, Driton Selmanaj tha për Radion Evropa e Lirë se mekanizmat përkatës dhe institucionet duhet të përgatiten për zgjedhjet lokale, kurse për zgjedhjet parlamentare duhet pritur deri në vitin 2018.
Ai tha se vetëm Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i konvenon aktualisht që të ketë zgjedhje ngase, sipas tij, PDK ka zgjedhur tashmë kryetarin e ri, i cili dëshiron të marrë në duar ‘timonin e Qeverisë së vendit’. Kurse partitë e tjera, përfshirë edhe ato opozitare, sipas tij, nuk janë të gatshme për zgjedhje.
“Përkundër që partitë politike opozitare, në diskursin e tyre nuk e kanë hequr kërkesën për zgjedhje të parakohshme, mendoj se ato në fakt nuk i dëshirojnë zgjedhjet parakohshme”, tha Selmanaj.
Nëse vendi shkon në zgjedhje në këtë fazë, sipas Selamanajt, rrezikohet që të përballet me një situatë bllokade dhe mosfunksionimi të institucioneve.
“Nëse ne shkojmë në zgjedhje të parakohshme në muajin qershor dhe na përsëritet praktika e vitit 2014, kur për gjashtë muaj nuk kishim institucione, ne mund të futemi në zgjedhje lokale në tetor ose në nëntor pa pasur institucione qendrore. Në çfarë situate mund të vijmë: – institucione qendrore jo të konsoliduara, pa Qeveri, pa Kuvend dhe pa kryetarë të komunave. Pra, rrethanat politike sot nuk u japin relevancë zgjedhjeve të parakohshme”, tha Semanaj.
Edhe analisti, Ismali Hasani, konsideron se asnjëra nga partitë politike, në një afat të shpejtë kohor, nuk janë të gatshme që të futen në proces zgjedhor. Deklarimet e politikanëve se janë të gatshëm për zgjedhje, sipas Hasanit, bëhen vetëm për marketing politik.
“[Partitë politike dhe politikanët] për t’i dhënë një dinamikë jetës politike, paraqiten me data të cilat mendoj se janë totalisht të parealizuara, për faktin se Kosova ka para vetes detyra shumë të precizuara. Miratimin e Demarkacionit, ka Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është detyrë shumë e qartë dhe normalisht që para vetes ka Gjykatën Speciale, e cila është gati në fazën e fillimit të funksionalizimit. Në këtë kontekst mendoj se para vitit 2018, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhe nacionale”, tha Hasani.
Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të hyrë në një proces zgjedhor të ri, të parakohshëm, përfshirë edhe subjektet në koalicionin qeverisës, megjithëse këto të fundit kanë kërkuar që vendi “t’i përfundojë proceset e nisura”.
Driton Selmanaj, thotë se edhe në rast se do të ketë zgjedhje, vështirë që Qeveria e re do t’i kishte dy të tretat e votave, po që se koalicioni i ri eventual nuk do të përbëhej nga dy partitë më të mëdha politike.
“Në secilën situatë, ne gjithmonë kur të kemi punë me Demarkacionin, do të kemi nevojë për një shumicë të kualifikuar, pra për dy të tretat. Me numër kaq të madhe të votave, asnjë Qeveri nesër nuk mund të vi, sepse thuajse është e pakuptimt që të gjitha partitë të bëhen pjesë e një Qeverie. Përndryshe, askush nuk mund të ketë vota më shumë sesa që i ka sot kjo Qeveri. Edhe për këtë agrument nuk mund të shkohet në zgjedhje”, tha Semanaj.
Mundësia e zgjedhjeve të reja në Kosovë është përmendur pas Konventës së tetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kur u shpreh gatishmëria për t’u futur në garën zgjedhore.
Përmes deklarimeve për mospërmbushje të obligimeve karshi, siç thonë, qytetarëve të vendit, partitë në koalicionin qeverisës kanë shtuar kritikat ndaj njëra tjetrës ‘për ngecje të proceseve të nisura, e në veçanti në rastin e krijimit të Ushtrisë së Kosovës’.
Së fundmi, edhe kryeministri Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se nëse Kuvendi nuk e ratifikon Demarkacionin, me çka do të mundësohej liberalizimi i vizave, atëherë ai Kuvend do të duhej ta rishqyrtonte vetëveten, ku si opsion do të vinin në shprehje edhe zgjedhjet.