Ballina Autorë ZGJEDHJET E 11 DHJETORIT NË MAQEDONI, STOP POLITIKËS SË KONSUMUAR

ZGJEDHJET E 11 DHJETORIT NË MAQEDONI, STOP POLITIKËS SË KONSUMUAR

Shkruan: Nexhmedin Ademi

11 dhjetori është dita kur do të mbahen zgjedhjet në nivel qendror në Republikën e Maqedonisë. Me ofrimin e kësaj date interesimi për këto zgjedhje është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Votuesi shqiptar, jo vetëm në Maqedoni, gjatë njëzet e gjashtë viteve të kaluara e ka pasur vështirë që vullnetin e vet politik ta kthejë në investim që do të ndikonte në revitalizimin e jetës së vet për një mirëqenie më të mirë politike, kulturore e sociale. Gjatë këtij harku kohor në hapësirat shqiptare kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme, si: shpallja e Pavarësisë së Kosovës, Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni, Marrëveshja  e Konçulit në Luginë të Preshevës, aspiratat integruese në familjen evropiane etj. Këtyre zhvillimeve u kanë paraprirë momente historike të rëndësishme për fatin e popullit shqiptar: në vend se të orientohen kah fuqizimi i nacionalizmit kulturor të shqiptarëve, ato e kanë instrumentalizuar vullnetin politik të popullit jo për një zhvillim progresist, por më tepër për ta fuqizuar pushtetin sesa shtetin, siç ka ndodhur në Shqipëri dhe Kosovë. Në Maqedoni ky qëndrim e ka defaktorizuar faktorin politik shqiptar, ku shqiptarët kanë mbetur jashtë konturës konstitucionaliste shtetëformuese, ndërsa në Luginë të Preshevës politika ka dështuar që të ofrojë mundësi për forcimin e identitetit nacional kulturor të shqiptarëve, në mënyrë që statusi i tyre politik të avancohet si entitet politik, duke u bërë kategori kushtetuese.

Tabloja e zhvillimeve politike në hapësirat shqiptare nuk lë shumë për të dëshiruar. Dështimet e njëpasnjëshme të elitave politike ekzistuese nuk kanë pse e inkurajojnë votuesin shqiptar që të shpresojë se vota e tyre do ta prekë për së afërmi jetën e qytetarit shqiptar. Po të mos ishte Lëvizja Vetëvendosje politikisht më gjatë në jetën publike në Kosovë  dhe Lëvizja Besa në Maqedoni, të shquara deri më tani për një opozitarizëm domethënës, nuk besoj se dikush nga shqiptarët duhet të jetë i motivuar për t’iu ofruar kutive të votimit, përveçse militantëve partiakë, të cilët fatin e tyre e kanë të lidhur ngushtë me fatin e partisë ose, thënë ndryshe, me fatin e shefave të partisë.

Shqiptarët e Maqedonisë mund të merren si model i paaftësisë për devijimin dhe katandinë e vullnetit politik të qytetarit. Që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, shqiptarët në Maqedoni rastin më ideal për ta avancuar statusin e tyre politik e patën pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila rrodhi pas një konflikti të armatosur me forcat ushtarake maqedonase, ndërsa ishte e sponsorizuar nga bashkësia ndërkombëtare, natyrisht me detyrime dhe kushtëzime të ndërsjella. Nominalisht implementimi dhe zbatimi i kësaj marrëveshje u është lënë në vëzhgim të drejtpërdrejt shqiptarëve. Por, në vend se të kapitalizohet deri në maksimum politikisht kjo marrëveshje, nga ku shqiptarët do të faktorizoheshin duke u bërë shtetëformues, pjesë e frymës së filozofisë politike eglitare etatiste, ata parimisht devijuan nga parimet bazë të kësaj marrëveshje, duke devijuar diskursin shtetëndërtues që ia siguronte marrëveshja në fjalë. Politika diskriminuese ndaj tyre vazhdoi, duke u përballur edhe me situata denigruese, fyese ndaj dinjitetit të tyre, siç ishte rasti i Sopotit, i Brodecit, i Monstrës dhe i zhytjes në krimin e organizuar nga funksionarë të partisë në pushtet, të cilat i mësuam nga publikimet e publikuara nga Zaevi. Maqedonia sot nuk është shtet egalitarë. Sot ka një disproporcion të madh ndërmjet të qenit qytetar maqedonas dhe qytetar shqiptarë në shtetin e Maqedonisë.

Votuesi shqiptar në Maqedoni përballet me një klasë politike, e cila politikëbërjen e ka ulur aq poshtë, duke e vendosur në shërbim të klientelizmit, grupimit partiak, e ka partizuar angazhimin politik në vend se ta politizojë me politika premtuese në arsim, kulturë, zhvillim ekonomik, ta vendosë teorinë politiko juridike, e cila për themel të shtetit dhe pushtetit shtetërorë e njeh rregullimin kushtetues, konstitucionalizëm, i cili i siguron status të barabartë qytetarit shqiptar para shtetit. Meqenëse klasa politike aktuale është konsumuar plotësisht, pas dështimeve të njëpasnjëshme, ajo do të kërkojë që të instrumentalizojë për kalkulime politike anën emocionale të popullit, aty ku më së shumti ai është lënduar. Ajo është fusha e nacionalizmit dhe patriotizmit. Është detyrë e votuesit shqiptar dhe e partive opozitare, në veçanti e Lëvizjes Besa, që ta dekonstruktojë kuazinacionalizmin edhe pseudopatriotizmin e partive që do të mund ta përdornin eventualisht në fushatën parazgjedhore.

Në fakt ideja e nacionalizmit shqiptar është e përafërt me idetë moderne mbi nacionalizmin, që e definojnë nacionalizmin ashtu që njësia politike me njësinë kombëtare duhet të përputhen (Gellner, Hobsbaum). Vetëm një herë në historinë e nacionalizmit shqiptar, gjatë përpjekjeve për ta formuar shtetin komb si mendim programatik, është elaboruar drejt ideja e nacionalizmit në përputhje me teoritë moderne nga dy përfaqësuesit e shquar të Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasa dhe Sami Frashri. Ishin të parët këta dy që patën propozuar që të gjitha territoret shqiptare të unjësoheshin në një vilajet brenda Perandorisë Osmane, ku me kalimin e kohës do të shpallej edhe shteti shqiptar, i cili do të përfshinte të gjithë shqiptarët e trojeve. Në këtë drejtim do të përputheshin njësia politike më atë kombëtare. Ky parim ka vlejtur si parim për themelimin e shteteve kombe pas shembjeve të Perandorisë Austro Hungareze, Perandorisë Osmane ose edhe të mbretërive gjetiu në Evropë, nën gërmadhat e të cilave lindën shtetet kombe në periudhën e modernitetit. Ngjarje të rëndësishme të historisë tonë kombëtare kanë pasur perceptime nacionaliste, por kanë përfunduar si projekte antinacionaliste, duke mos pasur mundësi ta unjësojnë njësinë politike me atë kombëtare. E këtillë ishte shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë londineze ose edhe shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës ahtisariane, e cila është e kushtëzuar me pamundësinë për t’u bashkuar me ndonjë shtet tjetër. Në periudha të caktuara është manipuluar me vullnetin e popullit, duke e instrumentalizuar nacionalizmin shqiptar më shumë si fiksion poetik i ruajtur në kujtesën e shqiptarit nga repertori folklorik sesa si projeksion realist i një interpretimi të drejtë filozofik, për përfitime të ulëta politike ose edhe ideologjike. Fjala vjen, kur Enver Hoxha sulmonte titistët se pse i tradhtuan idealet staliniste, këndej kufirit figura e tij vlerësohej me tone të larta nacionaliste, edhe pse kundërshtimi Enver Hoxhës ndaj titistëve bëhej krejtësisht për motive ideologjike e aspak nacionaliste. Sali Berisha, me liderin e BDI-së, me rastin e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë londineze i suprizonin të pranishmit me inflacion në rritje të ideve për bashkimin e trojeve para masës së ekzaltuar në Shkup. Menjëherë pasi që përfaqësues ndërkombëtarë ia bëjnë me dije se deklaratat e këtilla janë të papranueshme, edhe nëse thuhen me pahiri në atmosfera festive, ata i ulin tonet e tyre nacionaliste, duke sqaruar se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë pas suksesit të politikave integruese në familjen evropiane së bashku me Lituaninë, Estoninë, Rumaninë dhe Serbinë në një të ardhme të afërt. Është rasti ideal që shqiptarët në Maqedoni ta stopojnë këtë instrumentalizim pseudopatriotik dhe kuazinacionalist për përfitimet e ngushta. Nëse do të ndodhte kjo, do të ishte refleksion pozitiv edhe për neve këndej kufirit. Këtë lloj politike në Luginë të Preshevës e kemi paguar shtrenjtë si popullatë nga klasa politike, e cila u tregua e paaftë për t’i zgjidhur problemet reale me të cilat ballafaqohej qytetari shqiptar. Vazhdimisht janë mbuluar dështimet e radhës, duke u ofruar ide të mëdha, deri edhe të bërja e Shqipërisë natyrale. Këto ditë në Luginë kemi një diskurs të kundërt nga ai i kuazinacionalizmit të djeshëm, i cili mund të jetë i dëmshëm aq sa edhe ai i shkuari. Diskursi i ri, që po promovohet, është ai i integrimit të pakushtëzuar në institucionet shtetërore, që nënkupton se natyra e problemeve të shqiptarëve në Luginë është ekonomike e jo e të drejtave politike. Një logjikë e tillë seriozisht dëmton identitetin kulturorë të shqiptarëve, i cili nuk mund të imagjinohet pa ndihmën e ideve që burojnë nga nacionalizmi kulturor shqiptarë. Identiteti kulturorë i shqiptarëve të Maqedonisë, si produkt i nacionalizmit kulturor, ka gjasa të vendoset në binare të duhura nëse platforma politike e Lëvizjes Besa “RIDEFINIMI” bëhet pjesë e kulturës politike te shqiptarët pas këtyre zgjedhjeve. Është shpresëdhënës participimi i figurave të reja në këtë lëvizje, me një kaluar të pastër, ideologjikisht të formuar përbrenda identitetit kulturorë të shqiptarit të Maqedonisë, duke u frymëzuar nga vlerat autentike, e të gjithë faktorëve kulturorë pa përjashtim. Ky profilizim identitar dhe profilizimi politik i vlerave konservatore të prira të identifikohen me idetë e të majtës më afër shtresave sociale, Lëvizjen Besa e bëjnë subjekt me potencë të mjaftueshme për t’u paraqitur para votuesit shqiptar. Ajo nuk është derivat i pakënaqësive të subjekteve tjera, por me guxim të madh qytetar është paraqitur në skenën politike si një nga alternativat që jep arsye për t’i inkurajuar votuesit shqiptarë që t’ua mësyjnë kutive të votimit më 11 dhjetorë të muajit të ardhshëm.

Personalisht jam në fillimin e dekadës së katërt të jetës time. Këtu ku jetoj ende nuk e kam ushtruar të drejtën e lirë të qytetarit për të votuar, për arsye të cilat pak a shumë i përmenda më lart. Po të më jepej rasti për të votuar në zgjedhjet e 11 dhjetorit në shtetin e Maqedonisë, nuk do të hamendësohesha shumë se kë do të votoja.

Exit mobile version