Problemi është të ndërrohet populli. Hysamedin Feraj
Krijimi i një populli është detyra kryesore e politikës radikale. ErnestoLaklau
Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë
Kriza tërësore e Shqipërisë – Eseja Kriza e përkryer e Shqipërisë e Hysamedin Ferajt duket sikur është shkruar në vitin 2021 dhe jo gati dy dekada më parë (botuar si artikull te gazeta “Rimëkëmbja” më 11-25 qershor 2002 dhe si libërth më 2003). Argumenti i esesë është që Shqipëria ndodhet në një krizë tërësore dhe, sipas autorit, të përkryer, prandaj në horizont nuk shihet asnjë rrugëdalje prej saj. Kriza ka në themel tri mungesa që ushqejnë njëra-tjetrën: mungesa e politikes, mungesa e mendimit dhe mungesa e moralit. Me mungesë të politikes autori kupton tri gjëra. E para është heqja dorë nga kategoritë klasike të politikes, që janë binomi mik/armik, sovraniteti, interesi kombëtar/shtetëror, reciprociteti etj. Këtë e shohim në mënyrë të qartë te politika e jashtme e qeverisë Rama, që po e fuqizon Serbinë në kurriz të shqiptarëve me anë të projektit të “minishengenit ballkanik”, në vend që të mbështesë politikën e re të Kosovës, e cila po e denoncon Serbinë si një shtet agresor. Së dyti, me mungesë të politikës kuptohet zëvendësimi i publikes nga privatja. Privatizimet e ethshme të pronës publike po ngushtojnë shanset e jetesës dhe kjo duket p.sh. te ndërtimi pa kriter i hidrocentraleve private në lumenj e përrenj, që po shkatërrojnë bujqësinë dhe nuk sjellin asnjë përfitim domethënës për publikun. Së treti, mungesa e politikes duket edhe nga vdekja e argumentit në politikë, që nga ana e saj do të thotë se autoriteti është zëvendësuar nga dhuna shtetërore. Kjo më së miri ilustrohet nga shembja e jashtëligjshme e Teatrit Kombëtar, vepër që kishte statusin e trashëgimisë shqiptare dhe evropiane, edhe pse ishin dhënë argumentet se ai mund të restaurohej dhe të modernizohej për të kryer funksionin artistik sipas të gjitha standardeve bashkëkohore.
Mungesa e mendimit në sferën publike shfaqet, së pari, me thjeshtizmin mendor, që e sheh realitetin bardhë e zi. Meqenëse eseja është shkruar në fund të dekadës së parë të pluralizmit politik, Feraj e ilustron këtë argument me anë të reduktimit te “enverizmi” të çdo kritike ndaj politikave të gabuara. Meqenëse Enver Hoxha fliste për armiq të Shqipërisë, atëherë nëse përmend armiqtë e shqiptarëve të etiketojnë si enverist; meqenëse regjimi komunist ndaloi zhvillimin e pronës private, atëherë nëse përmend kufizimin e pronës private në të mirë të interesit publik, menjëherë të thonë komunist; meqenëse Enver Hoxha lavdëronte aftësitë luftarake të shqiptarëve në shekuj, nëse bën vaki të kërkosh fuqizimin e ushtrisë shqiptare dhe rikthimin e stërvitjes ushtarake në edukimin e të rinjve, të përqeshin si njeri primitiv që i ka mbetur sahati te zbori, etj. Por, edhe pas dy dekadave të tjera, ndeshemi sot me thjeshtëzim të mendimit, të ndihmuar nga rënia e nivelit të arsimimit, banalizimi i tërësishëm i programeve televizive dhe nga trysnia që ushtrojnë rrjetet sociale. Një tregues i kësaj gjendjeje është edhe përhapja në publik e lloj-lloj teorive të komplotit, që nga agjentët e Sorosit, te mikroçipet që gjoja Bill Gejts-i i përhap përmes vaksinimit të njerëzimit e deri te teoritë e tokës së sheshtë. Mungesa e mendimit shfaqet edhe te “arratisja nga liria”, term i psikanalistit Erih From, të cilin Feraj e përdor për të përshkruar heqjen dorë nga të menduarit vetjak dhe besimin e verbër se “e di kryeministri”, “e di Evropa”, “e di Amerika”, “kështu e ka bota”, etj. Në vitet e fundit “arratisja nga liria” ka marrë përmasa groteske, sepse raportohet e interpretohet thuajse përditë në media mbi ato që bëjnë dhe thonë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe kolegu ambasador i Bashkimit Evropian (BE). Po kështu, kur mediat e huaja transmetojnë përgjime të aferave të politikanëve shqiptarë me eksponentë të botës së krimit, del një anëtar i qeverisë që nuk skuqet kur justifikohet se “janë biseda që rëndom në periudha fushatash bëhen jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën”. (Vjen dita kur pikërisht ai që ka shqiptuar këto fjalë, Bledi Çuçi, emërohet ministër i brendshëm.) Mungesa e mendimit në Shqipëri shfaqet, së fundi, si metanarracion, me anë të të cilit realiteti shqiptar vendoset brenda një rrugëtimi të paracaktuar historik që ka një finale. Nëse dekada më parë finalja ishte shoqëria komuniste, tani është globalizimi neoliberal, në emër të të cilit duhet hequr dorë nga kombi, nacionalizmi e sovraniteti.
Mungesa e tretë që e bën të përkryer krizën e shoqërisë shqiptare është ajo morale. Mungesa morale shfaqet si paaftësi për të përcaktuar qëllimin e politikës, pra vlerat për t’u arritur ose ruajtur përmes veprimit politik. Politikanët e analistët rëndom na kujtojnë se finalja e tranzicionit është integrimi i Shqipërisë në BE, si qëllim në vetvete, por në fakt anëtarësia në BE duhet të jetë mjeti për realizimin e qëllimeve morale, si liria, siguria, paqja, barazia, mirëqenia, etj. Brexit-i na dha pikërisht këtë mësim: një popull vendos që në emër të vlerave të dalë nga BE-ja. Si shfaqje të dytë të mungesës së moralit në shoqërinë shqiptare, Feraj radhit mos-ndjekjen e virtytit moral në publik, me fjalë të tjera, mungesa e “vullnetit të mirë” për të vepruar në përputhje me dijen dhe detyrën morale. Dëshmi për këtë është perceptimi i përhapur mbi korrupsionin e administratës publike, gjykatave, etj. Problemi nuk është te mungesa e ligjeve dhe rregullave, por te moszbatimi i tyre pikërisht nga shumë prej atyre që duhej të ishin garantues të ligjshmërisë, nëpunësit e shtetit, në të gjitha fushat dhe nivelet, ata të votuar dhe ata të emëruar. Mirëpo, vullneti i mirë, si zë i brendshëm i moralit, mungon edhe te një pjesë e mirë e popullit, te ata që ankohen për mjerimin, padrejtësinë e korrupsionin. Pavarësisht prej shkaqeve sistemike që e kanë sjellë popullin në këtë gjendje, 25 prilli 2021 ishte një shans i humbur që elektorati ta ndëshkonte me votë klikën që po e sundon, shtyp, varfëron dhe po ia nëpërkëmb dinjitetin. Protesta me anë të votës, pra votimi kundër pushtetit edhe kur pret ndonjë gjë të madhe prej opozitës, një sjellje politike që u dëshmua, fjala vjen, në votimet e viteve 2005 dhe 2013, këtë radhë nuk ishte aq e fuqishme. Shqisa e vetëmbrojtjes prej despotizmit këtë radhë ishte e mpirë. Prandaj, na duket sikur Feraj i ka shkruar këto fjalë disa javë më parë dhe jo pothuaj njëzet vite më parë: “…një nga mungesat më themelore që e bën mjerimin dhe krizën në Shqipëri totale është mungesa e moralit, që shfaqet si mungesë edhe e njohurive morale edhe e virtytit moral, vullnetit për të vepruar në përputhje me vlerat dhe normat morale” (Kriza e përkryer e Shqipërisë, Eurorilindja, Tiranë, 2003, f. 56).
Lexuesit e esesë paralajmërohen qysh në titull se rrugëdalja nga kriza është thuajse e pamundur, të paktën në të ardhmen e afërt. Nuk ka mbetur ndonjë sferë e shëndoshë e shoqërisë, rrjedhimisht kjo e fundit ndodhet brenda një rrethi vicioz. Meqenëse kriza na ka prekur të gjithëve, atëherë “problemi është të ndërrohet populli. Vetëm një popull i ndryshuar do ta ndryshojë fatin e shoqërisë shqiptare d.m.th. fatin e vet” (f. 4). Kapërcimi i psikologjisë së tanishme masive të përshtatjes me gjendjen apo të ikjes nga vendi, emëruesi i përbashkët i të cilave është shprehja “ky vend nuk bëhet”, do të kërkonte një edukim ndryshe të brezit të ri në familje dhe institucione të tjera të shoqërizimit, që më pas do të sillte edhe ndryshimin e kulturës politike. Mirëpo këto janë procese që me të filluar duan kohë të shfaqin rezultatet e pritshme, prandaj autori thotë se një optimist duhet të llogarisë së paku kalimin e njëzet viteve, ndërsa një realiste ngre numrin e viteve në pesëdhjetë.
Krijimi i popullit – Nëse pranojmë argumentin e Ferajt, nuk kemi se si të mos vërejmë se afati i optimistit po plotësohet dhe ndërkaq kriza ka mbetur po ajo, në mos është thelluar më shumë. Tregues i kësaj është psikoza e ikjes, që i ka kapur pothuaj të gjithë, përfshirë shtresat e mesme dhe të pasura. Vini re emrat që u vihen fëmijëve: në shumë raste janë emra që nuk kanë asnjë domethënie në gjuhën amtare dhe të vetmen karakteristikë kanë se tingëllojnë të pranueshëm për veshët e perëndimorëve, pra premtojnë një pranim më të lehtë në kulturat e vendeve ku synojnë të emigrojnë shqiptarët. Mendimi se je i përkohshëm në këtë vend, si një i burgosur që mezi pret rastin të arratiset ose se fëmijët e tu nuk duhet kurrsesi ta përsërisin gabimin tënd të “ngecjes” këtu, është pengesë për çfarëdolloj projekti ndërtimor afatgjatë, si në planin material, po ashtu edhe në atë shpirtëror. Projektet janë afatshkurtra, me idenë që të marrësh ç’të mundesh, me çdo mjet dhe sa më shpejt, në mënyrë që ose të bëhesh pjesë e një pakice të pasur e të pushtetshme, që ka krijuar për vete një jetesë të krahasueshme me të pasurit e vendeve të zhvilluara, që të mos mbetesh “popull”, pra njerëz që rropaten përditë për një rrogë që nuk u siguron dot një jetesë normale për vete e për familjet e tyre; ose të kesh me çfarë të fillosh një jetë të re nëse një ditë do të duhet të largohesh nga vendi.
Mendimi se këtu duhet të bësh para për t’i shpenzuar gjetkë e për gjezdisur botën është rrënja e sjelljes kolonialiste me vendin dhe popullin tënd. Kolonializmi krijon hierarki midis “kolonizatorëve” dhe “vendasve”, të cilët takohen por nuk përzihen, banojnë në të njëjtën hapësirë por të veçuar, kanë botëkuptime paralele dhe sigurisht jetët e të cilëve nuk ka sesi të kenë të njëjtën vlerë. Në rastin e krizës së Shqipërisë, si edhe në një pjesë të mirë të botës në zhvillim, kriteri kryesor për këtë ndarje është pasurimi i menjëhershëm, brutal e kriminal i një pakice të lidhur me pushtetin politik, e cila kultivon pashmangshëm një mospërfillje për ligjin dhe për dinjitetin e të drejtat e pjesës tjetër të popullit. Ndërkohë që një fodull, i cili po vendos monopolin e tregtimit të peshkut në Shqipëri, thotë se “Dua të bëhem oligark si Kastrati dhe Mane!” dhe ankohet se nuk gjen dot punëtorë ngaqë njerëzit janë mësuar të jetojnë pa punuar, kryeministri i Shqipërisë ia pret atij dhe të tjerëve si ai me fjalët “merri punëtorët nga Bangladeshi, Pakistani, India, nuk dinë as shqip që të merren me thashetheme. Kur të fillojnë të mësojnë shqip, ti ndërroji se u futet krimbi, fillojnë jo politika, jo demokracia, jo liria, jo Evropa, etj.” (shih https://www.youtube.com/watch?v=27dhZ7uyNZ0. Vizituar më 21.08.2021). Kryeministri i Shqipërisë, po ai që vite më parë ftonte sipërmarrësit e huaj të investonin në vendin e tij sepse aty nuk ekzistojnë sindikatat, me këto fjalë kërkon që punëtorët të reduktohen në krahë pune, pra në gjymtyrë, dhe të mos guxojnë të ushtrojnë kapacitetet e tyre si njerëz e qytetarë të republikës, përndryshe do të zëvendësohen me të mjerë nga të gjithë anët e botës. Për imagjinatën e kryeministrit të Shqipërisë është i mundshëm zëvendësimi fizik i popullit me të huaj që pranojnë të jetojnë mjerueshëm, sesa zëvendësimi i moralit të popullit që kërkon Feraj.
Si mundet të ndërrojë populli? Do të presim plotësimin e afatit realist prej pesëdhjetë vitesh apo do të tentojmë ndërkohë ta bëjmë popullin? Në fakt, përpjekjet për qëndresë ndaj padrejtësive dhe për ndryshime përparimtare nuk rreshtin kurrë. Gjithnjë ka njerëz që nuk dorëzohen. Ka studentë që ngrihen kundër rritjes së tarifave, ka banorë që mbrojnë të drejtën e tyre për të pasur një çati mbi kokë, ka fshatarë që mbrojnë burimet e ujit kundër zaptuesve të hidrocentraleve, ka veprimtarë ambientalistë që mbrojnë Valbonën dhe Vjosën, ka qytetarë që mbrojnë hapësirat publike dhe veprat kulturore nga fadromat, ka minatorë e naftëtarë që kërkojnë rrogat dhe kushte më të mira pune, ka veprimtarë që kërkojnë drejtësi për gjenocidet në Çamëri dhe Kosovë, ka vajza e gra që protestojnë kundër dhunës seksuale, ka të rinj që kundërshtojnë veprimet e paligjshme të policisë, ka qytetarë që nuk kanë reshtur së kërkuari kthimin e pronave të tyre të grabitura nga regjimi komunist,etj. Të gjithë ata duan stabilitet në jetët e tyre, drejtësi dhe mundësi më të mira për të jetuar në këtë vend. Ajo që ka munguar në dy dekadat e fundit është lidhja e këtyre kërkesave shoqërore me një projekt kundërhegjemonik, për ta çarë sistemin politik që po e mban peng Shqipërinë. Ndryshimet janë pritur nga rotacioni në pushtet i partive të sistemit, qytetarët kanë votuar për “të djathtën” dhe “të majtën” që u kanë premtuar hapjen e një epoke “me duar të pastra” ose “rilindjen”, por që kanë qeverisur sipas të njëjtës logjikë. Tani është bërë më e vështirë që qytetarët e zhgënjyer t’i mobilizosh në emër të krijimit të popullit.
Duhet besuar Feraj kur thotë se nuk mund të ketë ndryshim të shpejtë dhe se duhet riaktivizuar politikja. Nga tri mungesat që ai parashtron, mendojmë se mungesa e politikes ka përparësi mbi të tjerat. Kjo pikë ka nevojë për një shpjegim të shkurtër. Politikja dallon prej politikës, sepse e para është dimensioni antagonist që ndodhet te të gjitha shoqëritë njerëzore, ndërsa e dyta emërton ansamblin e praktikave dhe institucioneve që vendosin dhe mirëmbajnë një rend të caktuar. Politikja përmes ndarjes mik/armik përcakton kufijtë e ushtrimit të politikës. Brenda këtyre kufijve, politikja sublimohet me anë të rregullave dhe normave për marrjen dhe ushtrimin e pushtetit. Meqenëse në demokraci vendi i pushtetit është i zbrazët, atëherë politika përbëhet nga praktika dhe institucione që parashikojnë zënien e tij të përkohshme nga partia fituese. Mirëpo, politikja është edhe kushtetuese (konstituese) e shoqërisë. Është e vërtetë se politika është një nënsistem shoqëror, mirëpo vetë shoqëria nuk është tjetër veçse shtresimi i vendimeve politike që janë harruar si të tilla dhe në përditshmërinë tonë i marrim si të natyrshme. Fjala vjen, me shoqëri në Shqipëri kuptojmë marrëdhëniet shoqërore të shtresuara historike kryesisht brenda një kuadri politik, i cili nga ana e tij u përcaktua përmes vendimeve nga aktorë dhe institucioneve të ndryshme që i dhanë natyrë politike gjuhës dhe prejardhjes etnike, duke ngritur kërkesa politike në emër të kombit shqiptar dhe që në shek. XX çuan në krijimin dhe rikrijimin e shtetit të Shqipërisë. (E njëjta mund të thuhet edhe për shoqërinë në Kosovë, e cila në masën dërrmuese përbëhet nga një pjesë e kombit shqiptar që pati një trajektore të veçantë politike prej vendimeve që u morën që nga Lufta Ballkanike e Konferenca e Ambasadorëve në vitin 1912, te kuadri institucional i Jugosllavisë titiste e deri te shpallja e pavarësisë në vitin 2008). Pra, përparësia e politikes qëndron te roli i saj kushtetues (apo rikrijues) për shoqërinë dhe sistemin politik, të cilat nga ana e tyre janë konfigurime të caktuara dhe të jotërësore të antagonizmave të pashtershëm. Siç e shkruan thukët filozofi Ernesto Laklau [Ernesto Laclau]: “Çdo sistem strukturor është i kufizuar, ai është gjithnjë i rrethuar nga një ‘tepri e kuptimeve’ të cilat nuk mund t’i zotërojë dhe, për pasojë, ‘shoqëria’, e parë si një objekt unik e i rrokshëm që ofron bazën e proceseve të saj të pjesshme, është një pamundësi” (New Reflectionson the Revolution of Our Time, Verso, Londër, 1990, f. 90). Prandaj, kriza “e përkryer” e Shqipërisë për të cilën flet Feraj është pamundësia e një konfigurimi të ri institucional, njëherazi më legjitim në sytë e shumicës, të antagonizmave politikë e shoqërorë që janë ashpërsuar si pasojë e bllokimit nga pakica me pushtet ekonomik dhe politik. Përpjekja për të riaktivizuar në sferën publike kategoritë politike, si mik/armik, sovranitet, interes kombëtar, interes publik, e mirë e përgjithshme etj., është edhe përpjekje për të risjellë mendimin në politikë dhe për t’i dhënë qëllimet e duhura praktikës dhe institucioneve politike. Kjo është arsyeja e përqendrimit tonë në këtë artikull te mungesa e politikes në Shqipëri.
Ende nuk kemi dhënë një përgjigje për mënyrën e krijimit të popullit. Për ta bërë këtë na duhet të rikujtojmë kuptimin politik të “popullit”, përkundër kuptimit etnografik që e ndeshim rëndom te togfjalëshat “kultura popullore”, “muzikë popullore”, etj. Në horizontin e hapur prej revolucioneve demokratike në Perëndim, “populli” doli si një kërkesë për ushtrimin e sovranitetit nga ana e qytetarëve – subjekteve me liri, të drejta dhe detyrime të barabarta – dhe eliminimin e hierarkive që e pengonin atë, si monarkia me hir hyjnor, perandoria, pushtuesit e huaj ose klasa sunduese. I dalë prej antagonizmave, “populli” u bë termi i domosdoshëm për të formuluar kërkesa politike dhe për të synuar bashkimin e shumicës ose të një kolektivi të përfytyruar si të plotë dhe të virtytshëm (kombi, klasa, bashkësia fetare, etj.). Si i tillë, “populli” është një shenjues i zbrazët, i cili mbushet me kuptime sipas konteksteve të ndryshme ku ka nevojë për një kristalizim të antagonizmit nëpërmjet vendosjes së kufirit midis një “populli” dhe atyre që e pengojnë sovranitetin e tij. Prandaj, kur flasim për (ri)krijim, ndërrim apo zëvendësim të popullit, çështja është te krijimi i një vullneti kolektiv përmes bashkërendimit të kërkesave të veçanta të të gjithë shtresave shoqërore e grupeve që sistemin e tanishëm politik e ekonomik e shohin si të padrejtë dhe rrënimtar. Nuk ka ndonjë subjekt ose shtresë shoqërore të paracaktuar historikisht për ta marrë përsipër mobilizimin e shtresave ose grupeve të tjera rreth saj. Kjo varet nga aftësia e një subjekti politik apo grupimi për të artikuluar kërkesa që i bëjnë apel mobilizimit politik të të gjithë “popullit” dhe te të cilat të tjerët gjejnë veten, qoftë edhe përkohësisht dhe vetëm për sa kohë që kanë kundërshtarë të përbashkët. Nëse krijohet një zinxhir kërkesash opozitare ndaj “pushtetit”, “kastës”, “oligarkëve”, etj., atëherë një hegjemoni e re është në formim e sipër dhe përfaqësuesit e “popullit” kanë shansin për të marrë mandatin e shumicës demokratike për të bërë reformat e dëshiruara. Për të sjellë një shembull, gjatë krizës së rënies së sistemit komunist, studentët me parullën “Liri-Demokraci!” u bënë përfaqësues të kërkesave të shumëfishta të shtresave dhe grupimeve që kërkonin ndryshimin radikal të gjendjes, që nga intelektualët, një pjesë e të cilëve ishin pedagogë universitarë, punëtorët, fshatarët, të persekutuarit e deri te një pjesë e administratës shtetërore e partiake që e kuptonte pashmangshmërinë e demokracisë. Partia Demokratike në fillimet e viteve ‘90 ishte më shumë sesa një parti politike, sepse ajo ishte “partia e popullit” kundër “bllokmenëve”, siç thirrej elita sunduese e kohës. Për dallim, “revolta” e dytë e studentëve në vitin 2018 u zhvillua me parullën “Jo politikë!”, ajo nuk pati jehonë te kategori të tjera, prandaj u shua pa plotësimin e kërkesave të tyre.
Pse duhet punuar tani për krijimin e popullit? Rikujtojmë se eseja e Ferajt është shkruar në mbylljen e dekadës së parë të paskomunizmit. Rrjedhja e pothuaj dy dekadave të mëpasshme po na tregon se nuk jemi më në “tranzicion” drejt një shoqërie të begatë ku sundon ligji, siç mund ta mendonim në fillim të viteve 90. Megjithëse niveli i përgjithshëm i jetesës materiale dhe kulturore për shumicën mund të gjykohet si më i mirë se sa ai gjatë dekadës së fundit të socializmit, po të nisemi nga pritshmëritë në fillim të tranzicionit dhe nga krahasimi me vendet përreth nesh, mjerimi i përgjithshëm tani është i dukshëm dhe bëhet më i rëndë nga mungesa e një perspektive të qartë për të ardhmen. Edhe mjedisi ndërkombëtar nuk është më aq shpresëdhënës sa mund të ketë qenë më parë, madje mund të themi se edhe Perëndimi është në krizë. Meqenëse nuk jemi në tranzicion, pritet që gjendja e tanishme e pabarazive të skajshme shoqërore, e hierarkive jolegjitime, e korrupsionit të thellë, e privatizimeve të pronës dhe pasurive publike, e investimeve afatshkurtra dhe grabitqare, e shkatërrimit mjedisor, e papunësisë kronike, e thërrmimit të shoqërisë në individë egoistë, e kulturës konsumeriste, e banalizimit të përgjithshëm të komunikimit, etj., të mbizotërojë edhe në të ardhmen e parashikueshme, edhe për faktin se kjo gjendje i përshtatet kapitalizmit neoliberal nëpër botë. Neoliberalizmi, që në vendin tonë vjen i maskuar si “modernizim” apo “perëndimorizim”, sot po kundërshtohet gjithnjë e më shumë kudo, për arsye se politikat e frymëzuara nga kjo ideologji kanë tendencën ta identifikojnë politiken në politikë, duke e ndarë këtë të fundit prej sovranitetit popullor. Neoliberalizmi e favorizon teknokracinë në vend të debatit politik, eficiencën në vend të përfitimeve sociale, privatizimin si zgjidhje për çdo problem strukturor të ekonomisë. Sipas neoliberalëve, armiku është “shtetizmi”, term me të cilin ata nënkuptojnë çdo ndërhyrje të shtetit në rrjedhat e ekonomisë së tregut në emër të ndonjë parimi social. Nuk ka rëndësi nëse parti, politikanë ose intelektualë vetëdeklarohen si neoliberalë, sepse kur mungon mendimi, siç e ka vënë në dukje Feraj, politikat neoliberale pranohen ngaqë “ashtu i ka bota” ose “ashtu na thotë FMN-ja, Banka Botërore, bota”. Pavarësisht nga ngjyrat e tyre dhe pavarësisht marrëdhënies me të kaluarën komuniste, partitë e sistemit janë shtytëse të politikave neoliberale, pjesërisht sepse janë kthyer në instrumente të interesave të sipërmarrjes së madhe, që po privatizon Shqipërinë, dhe pjesërisht sepse kanë anuluar mendimin politik, duke e zëvendësuar me metanarracionin neoliberal. Kjo do të thotë vdekje e ngadaltë e demokracisë së brishtë, sepse nëse gjithnjë e më shumë vendimmarrje mbi pasuritë publike dhe mbi çështje që ndikojnë jetët e qytetarëve merren nga sipërmarrës privatë, pa diskutime dhe llogaridhënie publike, apo mbahen të mbyllura për disa dekada për shkak të koncesioneve që ata kanë marrë nga shteti, atëherë cili është kuptimi i angazhimit qytetar, i pjesëmarrjes në votime dhe i vetë Kuvendit apo i këshillave bashkiakë? Cili është kuptimi i të hedhurit rrënjë dhe e të punuarit me sakrifica përditë e brez pas brezi në Shqipëri, përderisa si individ mund t’ia dalësh së miri diku tjetër, aty ku edhe shërbimet publike mbeten më cilësore, paçka se kanë ardhur duke u rrudhur? Pse të luftosh si qytetar për të drejta dhe mirëqenie, kur pushteti të zëvendëson me të tjerë që janë të gatshëm të durojnë edhe për ca kohë, deri sa edhe këta të zëvendësohen nga të mjerë nga tjetërkund, të cilët Shqipërinë e shohin si trampolinë drejt Perëndimit?
Ndërhyrja politike për ta prishur vijimësinë e krizës në Shqipëri duhet të jetë ajo që përshkruhet nga filozofja Shantal Muf [Chantale Mouffe]: “Ndërtimi i ‘një populli’ rreth një projekti që i përgjigjet trajtave të ndryshme të vartësisë rreth çështjeve që kanë të bëjnë me shfrytëzimin, dominimin ose diskriminimin… [si edhe] me një çështje… që është urgjente sot: e ardhmja e planetit” (For a Left Populism, Verso, Londër, 2018, f. 40). Me fjalë të tjera, populli duhet përbërë nga organizimi i qytetarëve të pakënaqur dhe të revoltuar me gjendjen ku është sot secili prej tyre dhe vendi i tyre. Programi përbashkues duhet të formohet nga afrimi me njëra-tjetrën i kërkesave specifike të kategorive dhe grupeve shoqërore, në mënyrë që të ofrohet një vizion ku qytetarët ta gjejnë veten. Programi duhet t’i mëshojë ruajtjes dhe fuqizimit të publikes dhe si pikë kryesore mund jetë rimëkëmbja e sistemeve të shëndetësisë, arsimit dhe transportit, për faktin e thjeshtë se shumëkush është i interesuar për klinika, poliklinika, spitale, çerdhe, kopshte, shkolla e transport publik. (Specialistët e këtyre fushave do të ishin të parët që do të japin ide dhe do të ishin të gatshëm të kontribuonin për ringritjen e këtyre sistemeve.) Projekti për rimëkëmbjen e publikes do të riaktivizojë koncepte të social-demokracisë, por do të jetë i hapur për përfshirje dhe aleanca me grupe dhe forca konservatore, mirëpo duhet pasur kujdes që jashtë kufirit të mbahen forca që kërkojnë komprometimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Sovraniteti popullor duhet fuqizuar përmes radikalizimit të demokracisë, duke synuar demokracinë e drejtpërdrejtë për çështje lokale, por edhe përdorimin e referendumeve për çështje të rëndësisë kombëtare. (Që nga viti 1998, kur është miratuar kushtetuta e tanishme e Shqipërisë, nuk është lejuar mbajtja e asnjë referendumi, praktikisht duke anuluar një të drejtë themelore të qytetarëve.)
Një vizion politik për fuqizimin e demokracisë dhe eliminimin e hierarkive jolegjitime, patjetër që do të mobilizojë popullin kundër rendit e tanishëm oligarkik dhe do të dojë ta çmontojë atë, përfshirë edhe partitë e sistemit, të cilat do të përpiqen ta kooptojnë çdo lëvizje të re. Nuk do të mjaftojë përmendja e “oligarkisë” në media, por denoncimi i hapur dhe konkret i të gjitha fijeve që lidhin në mënyrë korruptive sipërmarrjen e madhe dhe krimin e organizuar me partitë e sistemit dhe qeverinë. Gjithashtu, kërkohet edhe denoncimi i mosfunksioneve në sistemin e drejtësisë. Sigurisht që denoncimet publike mund të bëhen vetëm nga qytetarë të angazhuar e guximtarë, por mbi të gjitha nevojitet një organizatë ose një rrjet i organizimeve politike që aktivizojnë sa më shumë njerëz dhe njëkohësisht përhap vizionin e ri kundërhegjemonik. Ngritja e një projekti të tillë kërkon kohë, mund e sakrifica dhe në çdo hap që do të hidhet dështimi do të jetë gjithnjë më pranë se sa suksesi.
Populli nuk krijohet exnihilo, prandaj riaktivizimi i politikes përfshin edhe kujtesën e përpjekjeve historike të shqiptarëve për liri dhe sovranitet. Në vëmendje duhet të jenë elementë të traditës kombëtare që pajtohen me demokracinë dhe që dëshmohen se janë të vlefshme për ndërrimin përparimtar të popullit, si miti i Skënderbeut, atdhedashuria romantike e Naimit, vizioni zhvillimor për kombin që nis me Veqilharxhin, kalon përmes Samiut dhe rimerret nga Branko Merxhani, heroikja e eposit fishtian, palëkundshmëria e Hasan Prishtinës, radikalizmi intelektual i Fan Nolit, politizimi i thekshëm që përshkon të gjithë veprën e Migjenit, etj. Kujtesa e vendimeve që ka shtresuar shoqërinë shqiptare medoemos që kërkon marrjen parasysh të historicitetit të çështjes shqiptare, të mundësive që ekzistonin dhe të mënyrave sesi zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare është përjashtuar, me justifikimin e metanarrativave (p.sh. internacionalizmi). Po ashtu, impulse të rëndësishme te procesi i krijimit të popullit në Shqipëri sjellin edhe lëvizjet politike shqiptare në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Luginën e Preshevës, etj. Te këto pjesë të kombit, ideja për sovranitetit popullor është mobilizuar pareshtur në funksion të projekteve politike, si bashkimi me Shqipërinë, krijimi i Republikës së Kosovës ose arritja e statusit të popullit shtet-formues në Maqedoninë e Veriut. Suksesi i Lëvizjes Vetëvendosje! Në formimin e një vullneti popullor që kundërshtoi fuqishëm neo-kolonializmin e UNMIK-ut, pretendimet e Serbisë dhe mposhti klikën e politikanëve të korruptuar është një udhërrëfyes i vlefshëm edhe për projektin e krijimit të popullit në Shqipëri. Në krahun tjetër nuk mund të ketë një projekt për sovranitet popullor në Shqipëri pa hapur perspektivën e bashkimin të këtij shteti me Republikën e Kosovës. Kur të ndodhë, ky do të jetë me të vërtetë një ndërrim i popullit. /shenja