Kancelarja gjermane Angela Merkel përshëndeti projektin e tregut të përbashkët rajonal, i quajtur ndryshe Ballkani i Hapur.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, kancelarja gjermane u shpreh se nisma është mbështetur nga Bashkimi Europian dhe se sa më shumë shtete të bashkëpunojnë në këtë drejtim, aq më mirë është për rajonin.
“Përshëndes edhe projektin e tregut të përbashkët rajonal me 4 marrëveshjet, edhe pse jo të gjithë janë duke bashkëpunuar. Sot kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunoni aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha kancelarja.
Znj. Merkel vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe RMV në procesin e integrimit evropian, edhe pse negociatat nuk u çelën për shkak të vetos bullgare.
Ajo theksoi se Procesi i Berlinit ka bërë që shumë gjëra të ndryshojnë në marrëdhënie mes vendeve të Ballkanit.
“Kryetarët e qeverive takohen më shumë siç nuk ka ndodhur më parë, bashkëpunimi është rritur”, u shpreh znj. Merkel.