Ballina Artikuj Zemra është sundimtarja e trupit dhe mbretëresha e gjymtyrëve

Zemra është sundimtarja e trupit dhe mbretëresha e gjymtyrëve

Zemra është kujdestarja e vetme dhe udhëheqësja e tyre. Gjymtyrët dhe shqisat janë vetëm asistentët e saj që zbatojnë urdhrat e saj. Ato nuk veprojnë veçse me urdhrin e zemrës dhe asesi nuk mund të përdoren në diçka që zemra nuk e dëshiron. Ato janë nën kontrollin dhe nënshtrimin e saj. Nga ajo buron të ecurit në rrugë të drejtë ose devijimi. Midis zemrës dhe gjymtyrëve ka një lidhje të çuditshme dhe harmoni të veçantë, pasiqë devijimi i njërit prej tyre, automatikisht reflekton menjëherë tek tjetri.

Nëse shmanget shikimi, kjo ndodh sepse është zemra ajo që e ka urdhëruar. Nëse gënjen gjuha, ajo nuk është tjetër veçse një skllave e nënshtruar. Nëse këmbët nisen drejt haramit, atëherë zemra ka qenë e para që është nisur. Për këtë arsye, Profeti (a.s) ka thënë për atë që shpërqendrohet në namaz: “Sikur t’i ishte përulur zemra e tij, do t’i ishin përulur edhe gjymtyrët.” Dhe ka thënë për ata që qëndrojnë në rresht në namaz: “Qëndroni drejt dhe mos u përçani, që të mos përçahen zemrat tuaja.”

Pra, veprat e gjymtyrëve janë fryt i veprave të zemrës. Shkurtimisht: Zemra është vija e parë dhe e fundit e mbrojtjes. Nëse zemra dobësohet, prishet ose dorëzohet, automatikisht edhe gjymtyrët rrëzohen!

Në anën tjetër, nëse robi e përmend Zotin e tij, kjo do të thotë se është zemra ajo që e ka përmendur. Nëse ai e zgjat dorën për të dhënë sadaka, kjo ndodh për arsye se zemra ka lejuar që të ndodhë. Nëse lotojnë sytë, padyshim që lotojnë me ashkun e zemrës. Zemra është ajo që i dikton gjuhës fjalët kur flet, dorës kur shkruan, dhe këmbëve kur ecin.

Profeti (a.s) i njohu zemrës të drejtën dhe pozitën që i takon, duke e përshkruar me fjalët “Vërtet, në trup ka një copë mishi. Nëse ajo është në rregull, atëherë i gjithë trupi është në rregull. E nëse ajo prishet, prishet i gjithë trupi. Kjo copë mishi është zemra.” Kështu pra, – fillimisht – ai (a.s) është fokusuar tek pastrimi, përkujdesja dhe edukimi i zemrës.

Të gjitha veprat e njeriut e kanë burimin në zemër – të gjitha pa përjashtim – edhe nëse bëhet fjalë për veshjen tënde apo zbukurimin e trupit! Këtë e kishte kuptuar thellë mbartësi i Kuranit, sahabiju i nderuar, Abdullah ibn Mes’udi (r.a), i cili ka thënë: “Veshja nuk i ngjan veshjes (me vërtetësi), deri sa zemrat të ngjajnë me njëra-tjetrën.”

Pikësynimi kryesor i të Dërguarit të Allahut (a.s)

Nëna e besimtarëve, Aishja (r.a), ka thënë: “Ajo që zbriti fillimisht nga Kurani ishin sure nga pjesa e fundit e tij në të cilat përmendej Xheneti dhe Zjarri. Derisa njerëzit u kthyen te Islami, atëherë zbriti hallalli dhe harami. Sikur gjëja e parë që të ishte shpallur të kishte qenë: ‘Mos pini verë’, ata do të kishin thënë: ‘Kurrë nuk e lëmë verën.’ Dhe sikur të kishte zbritur: ‘Mos bëni zina’, ata do të kishin thënë: ‘Kurrë nuk e lëmë zinanë.’”

Allahu e ndaloi verën vetëm në vitin e dytë pas Hixhretit, që do të thotë 15 vjet pas shpalljes profetike. Po ashtu, zekati u bë obligim në të njëjtin vit, dhe mbulesa (hixhabi) u bë obligim në vitin e gjashtë të Hixhretit, pra 19 vjet pas shpalljes së pejgamberisë. Të gjitha këto ishin detyra që u shpallën vonë – vetëm pasi zemra u pastrua, u përul dhe e pranoi të vërtetën me bindje dhe qartësi.

Për shkak të statusit të lartë që ajo gëzon, Allahu e bëri atë mjet për ta njohur Atë dhe për t’u udhëzuar drejt Tij. Madje, kur Allahu zemërohet me një rob, ndëshkimi më i madh që ia jep është që ta pengojë nga zemra e tij, që do të thotë ta privojë nga njohja e Tij dhe afërsia me Të.

Prandaj, kujdesi për zemrën është shprehje e kujdesit për gjënë më të rëndësishme dhe për thelbin e gjithçkaje.

Përktheu: Elton Harxhi

Exit mobile version