Pavarësisht vdekjeve të disa pacientëve në orët e fundit dhe shtimit të madh të numrit të të infektuarve me koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se Kosova ka potenciale që të përballet me këtë virus.
Në një postim në Facebook, Zemaj ka thënë se s’ka vend për “reagimet histerike sidomos nga bodigardët politikë që po përpiqen ta dëmtojnë punën tonë dhe të mantelbardhëve”.
Sot, në Klinikën Infektive vdiqën pesë pacientë, ndërsa të shtunën ishin regjistruar për 24 orë 8 vdekje. Të shtunën u regjistruan 178 raste, në ditën rekorde me raste të reja.
Të dielën në mëngjes, Policia kishte rrethuar Infektiven pas dyshimeve për shkak se vdekjet erdhën në periudhë shumë të shkurtër kohore.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Vala e madhe e virusit Covid-19 po përshkon tërë globin dhe po vazhdon të na shkund edhe neve.
Dje kishim rritje të numrit të të infektuarve.
Ndërsa kishte edhe bashkëqytetarë që humbën jetën, e që ishin të shtruar në Klinikën Infektive.
Me këtë rast, e ndajë dhimbjen time dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për humbjen e këtyre jetëve dhe familjarëve ju shpreh ngushëllime më të sinqerta.
Të gjithë këta ishin pacientë me sëmundje të tjera shoqëruese.
Fakti se nga ky virus më të ndjeshëm janë ata që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera, askënd nuk e liron nga përgjegjësia.
Aktualisht kemi potenciale të përballemi me virusin. Duhet të sillemi sipas rekomandimeve të profesionisteve kompetent të mjekësisë.
Nuk ka vend për reagime histerike sidomos nga bodigardët politik që po përpiqen ta dëmtojnë punën tonë dhe të mantelbardhëve.
Ata që po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë gjendje duke krijuar mjegullë, për të shkaktuar sabotime në punën tonë po gabohen dhe vetëm se rrezikojnë qëllimshëm shëndetin e qytetarëve.
Nuk do të lejojmë të prodhohen ngërçe në këtë luftë ndaj së cilës do të triumfojmë së bashku.
Duke qenë se këto çështje janë të ndjeshme dhe mund të interpretohen saktësisht vetëm nga profesionistet e fushës, ju bëj thirrje që të mos bëhet presion mbi personelin shëndetësor dhe t’i lënë ata ta kryejnë punën e tyre, ashtu si deri më tani.
Kurse pretendimet për çfarëdo dyshim të adresohen pa asnjë hezitim tek organet përgjegjëse, të cilat e kanë këtë në mandat.
Njëherit do të merren masa konform ligjeve në fuqi dhe kodit të etikes profesionale.
Për ne është shumë me rëndësi që të sigurohet opinioni publik se institucionet dhe profesionistet shëndetësor po sakrifikojnë dhe po bëjnë punën e tyre, me qëllim që të menaxhohet kjo situatë aspak të lehtë.
Sot do të adresohen masat e reja parandaluese nga Qeveria e Republikës së Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
Respektoni rregullat e Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19!
Vendosni maskat!
Ruajeni distancen!
Mbajeni higjienën përsonale e kolektive!