Zemaj thotë se do të testohen falas rreth 3500 qytetarë brenda ditës

Për tri orë me radhë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e pandemisë në vend. Zemaj tha se janë duke u angazhuar që t’i rrisin kapacitetet testuese në vend dhe të ofrojnë deri në 3500 teste falas brenda ditës për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, derisa tha se situata epidemiologjike është e menaxhueshme theksoi se janë në fazën përfundimtare të zgjerimit të kapaciteteve testuese edhe në qendrat regjionale të Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik.

Përderisa ka kërkuar respektim të rekomandimeve karshi luftës me COVID-19, Zemaj tha se shqetësuese mbesin shifrat e vdekshmërisë së atyre që kanë qenë të prekur me koronavirus.

Me qëllim të menaxhimit dhe ofrimit të shërbimeve më efikase Zemaj tha se janë duke angazhuar edhe staf shtesë të profesionistëve shëndetësor.

“Në këtë javë kemi nisur edhe angazhimin e 350 profesionistëve shëndetësor që do të japin imput të drejtpërdrejtë në menaxhimin e situatës dhe pandemisë COVID-19, duke marr parasysh edhe tendencën tonë që në javët në fillim ose në javën tjetër zgjerohemi edhe me kapacitet testuese. MSH qeveria e Kosovës sipas planit të veprimit më ka angazhuar që të bëjmë zgjerimin e kapaciteteve në gjashtë qendrat rajonale të IKSHP-së dhe të mbështetjes me testime. Jemi në fazën përfundimtare ku do sigurojmë 7 aparatura për laboratorët, 1 do jetë në IKSHP dhe gjashtë në të gjitha qendrat rajonal të IKSHP-së duke siguruar më shumë se 100 mijë teste në këtë fazë për t’iu ofruar qytetarëve tanë. Po ashtu e kemi të siguruar një donacion nga OBSH, ku javën tjetër pritet ardhja e tri aparaturave të cilat dy do të vendosen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke marr parasysh që Prishtina është më e ngarkuar edhe nga popullsia dhe një ku jetojnë komunitetet pakicë në Kosovë“, tha ai.

I pari i shëndetësisë kosovare u zotua se me zgjerim të kapaciteteve testuese do të mund të ofrojnë edhe 3 mijë deri në 3mijë e 500 teste falas brenda ditës për qytetarët e Kosovës.