Zemaj për 200 euro për test për Covid-19: Është kompetencë e organeve të tjera t’i mbikëqyrin

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë një vizite në QKUK nder të tjera ka folur edhe për laboratorin privat “Medical & Laboratory Services”, për çmimet 200 euro në këtë laborator për testim PCR.

Zemaj tha se mbikëqyrja e këtyre laboratorëve është detyrë e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa theksoi se MSH-ja po i licenson vetëm ata laboratorë që po i përmbushin kriteret.

“Çka kam pasur ta them e kemi thënë nëpërmjet komunikatës së MSH-së dhe këto tema t’i trajtoni pa ndërhyrje dhe ngarkesa të atyre që janë në konflikt në personal dhe të oligarkëve të ndryshëm. Kemi licencuar më shumë se 120 laboratorë. Jemi në proces të licencimit dhe tjerëve. Të gjithë që plotësojnë kriteret do të licencohen. Është kompetencë e organeve të tjera t’i mbikëqyrin, përfshirë AKK-ja e ATK-ja. Ne e bëjmë punën tonë profesionale”, ka thënë Zemaj.

Zemaj tutje ka folur edhe për shtesat e personelit shëndetësorë.

“Personeli shëndetësor i kanë marrë një pjesë të konsiderueshme. I kemi thënë drejtorit të SHSKUK të hartojë listat. Nga muaji shtator i gjithë personeli shëndetësor do ta ketë shtesën. Deri më tash kemi qenë të cunguar, për shkak të vendimeve që kanë qenë të arsyeshme nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Zemaj.