Zemaj paralajmëron kufizim të lëvizjes dhe tubimeve nga dita e nesërme

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar masa ta reja pas rritjes së rasteve me COVID-19, në Kosovë.

Gjatë një konference për media Zemaj sot ka thënë se do të ketë kufizim të lëvizjes dhe tubimeve nga dita e nesërme.

“Edhe dje edhe sot jemi në vlerësim për të marrë masa të reja dhe sigurisht do të njoftoheni me vendimin e Qeverisë që do të jenë edhe disa masa të cilat ne mendojmë që e ndihmojnë luftën ndaj COVID-19 dhe e stabilizojnë situatën epidemiologjike në Kosovë. Në kuadër të kësaj do të ketë disa kufizime të lëvizjeve, tubimeve, takimeve”, ka thënë Zemaj.

Ai po ashtu ka thënë se do të ketë disa lirime, siç tha ai, aty ku e kemi parë se virusi nuk është prezent dhe mund të kontrollohet.

“Do të ketë disa lirime aty ku e kemi parë se virusi nuk është prezent dhe mund të kontrollohet. Këto janë tema dhe vlerësime të cilat sigurisht nëse aprovohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës do të jenë të zbatueshme nga dita e nesërme”, ka thënë Zemaj në konferencë për media.