Zemaj kërkon nga laboratoret private çmime korrekte të testimeve për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj priti sot në takim kryetarin e Autoritetit të Konkurrencës të Kosovës, Valon Prestreshi.

Ky takim vjen pas vendimit të Bordit për Licencim të Institucioneve Private Shëndetësore për lejimin e shërbimeve të testimeve për SARS-Cov 2 në ato institucione të cilat i kanë plotësuar kriteret e kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Jam këtu sot me Valon Prestreshi, Kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, me të cilin u dakorduam që të koordinohemi ngushtë që ky proces të zhvillohet duke respektuar politikat e konkurrencës, si dhe t’u bëjmë me dije institucioneve të licencuara se ky proces do të monitorohet nga autoritet shtetërore. Si Ministër i Shëndetësisë, i kërkova Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që të monitorojë sjelljen e këtyre institucioneve në raport me caktimin e çmimeve të shërbimeve të testimit dhe të pamundësojnë krijimin e monopoleve”, deklaroi Ministri Zemaj pas takimit.

Ai tha se MSh mbështetet tek Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe tek institucionet e tjera përgjegjëse për të siguruar se laboratorët nuk do të bëjnë asnjë lloj marrëveshje të ndaluar për të caktuar çmime të testimeve në dëm të qytetarëve të vendit”.

“Kosova është një vend me ekonomi të lirë të tregut, por kjo nuk do thotë se nuk ka rregulla, dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të licencuara t’i respektojnë ato, në mënyrë që t’i evitojnë sanksionet që shqipton Autoriteti Kosovar i Konkurrencës”, tha Ministri Zemaj.

Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi tha se ky institucion do të monitorojë punën e IShP lidhur me testimet dhe politikat e përcaktimit të çmimeve të shërbimeve të testimit dhe u bëri thirrje këtyre institucioneve që në mënyrë të pavarur t’i caktojnë çmimet e shërbimeve, pa bërë marrëveshje mes veti që i dëmtojnë qytetarët.