Zelenskyy: Kemi kapur dy shtetas kinezë që luftonin për ushtrinë ruse në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se janë kapur dy shtetas kinezë të cilët po luftonin për ushtrinë ruse në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Zelenskyy publikoi nga llogaria e tij në median sociale pamjet e personave për të cilët pretendohet se janë shtetas kinezë. Dy shtetasit kinezë thuhet se janë kapur në rajonin e Donetskut.

Presidenti ukrainas bëri të ditur se shtetasit kinezë u kapën nga ushtria ukrainase në rajonin e Donetskut në Ukrainë. “Tek ata u gjetën dokumente identiteti, karta bankare dhe të dhëna personale”, tha Zelenskyy.

Duke deklaruar se ata kanë informacione se “si këta dy ka shumë kinezë që shërbejnë në ushtrinë ruse”, Zelenskyy tha: “Tani po mësojmë të gjitha të vërtetat. Inteligjenca, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe njësitë përkatëse të Forcave të Armatosura po vazhdojnë punën e tyre. Unë udhëzova ministrin e Jashtëm të Ukrainës të kontaktojë menjëherë Pekinin dhe të zbulojë se si do të përgjigjet Kina për këtë”.

Zelenskyy mbrojti idenë se presidenti rus Vladimir Putin “po kërkon mënyra për të zgjatur luftën” ndërsa shtoi se “përfshirja direkte ose indirekte nga Rusia e Kinës dhe vendeve të tjera në këtë luftë në Evropë është shenjë e qartë se Putini synon të bëjë çdo gjë tjetër përveç përfundimit të luftës”.

Më tej Zelenskyy u bëri thirrje SHBA-së, Evropës dhe të gjithë atyre që mbështesin paqen të reagojnë ndaj kësaj situate. Ai potencoi se shtetasit e kapur kinezë janë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës.