Zelenskyy aludon në marrëveshje armëpushimi nëse territoret nën kontrollin ukrainas vihen “nën ombrellën e NATO-s”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se një marrëveshje armëpushimi mund të arrihet nëse territori ukrainas nën kontrollin e Kievit vihet “nën ombrellën e NATO-s”, në një përpjekje për të ndaluar “fazën e nxehtë të luftës”, transmeton Anadolu.

Në një intervistë me Sky News, Zelenskyy tha se një marrëveshje armëpushimi mund të arrihet nëse territoret ukrainase aktualisht nën kontrollin e Kievit do të viheshin “nën ombrellën e NATO-s”, një frazë që duket se ka nevojë për sqarim, pasi vendet anëtare të NATO-s, jo territore të caktuara, normalisht bien nën parimin e mbrojtjes kolektive. Ukraina ka kërkuar anëtarësimin në NATO, por nuk ka gjasa të pranohet në aleancë së shpejti.

Zelenskyy theksoi se ftesa “duhet t’i jepet Ukrainës brenda kufirit të saj të njohur ndërkombëtarisht”, por shtoi se kjo nuk ishte ofruar.

“Nëse duam të ndalojmë fazën e nxehtë të luftës, duhet të marrim nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë”, theksoi ai, duke shtuar:

“Ne duhet ta bëjmë atë shpejt. Dhe pastaj territorin (e pushtuar) të Ukrainës, ato mund t’i kthejmë në një mënyrë diplomatike”.

Zelenskyy gjithashtu vuri në dukje se me ligj, njohja e territoreve të pushtuara si tokë ruse është “e pamundur” pasi është “kundër kushtetutës së Ukrainës”.

Përveç territoreve në Ukrainën lindore që Rusia ka pushtuar që nga shkurti i vitit 2022, kur filloi lufta aktuale, është edhe çështja e Krimesë dhe Sevastopolit, nën pushtimin rus që nga viti 2024, por të njohura ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës.

I pyetur për mendimet e tij për presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, i cili do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, ai tha se duhet të punojnë me Trump-in në mënyrë që “ta kenë përkrahësin më të madh”.

Zelenskyy shtoi se ai dëshiron të punojë me të drejtpërdrejt sepse “ka zëra të ndryshëm nga njerëzit përreth tij”.

Trump në paraqitjet e tij ka qenë kritik ndaj dërgimit të më shumë ndihmave në Ukrainë.