Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka akuzuar kryeministrin sllovak, Robert Fico, se ka zgjedhur Rusinë në vend të Perëndimit në lidhje me furnizimet me gaz, derisa tensionet vazhdojnë pas vendimit të Kievit për të ndaluar tranzitin e gazit rus përmes territorit ukrainas në fillim të këtij viti, transmeton Anadolu.
“Ai (kryeministri sllovak) zgjedh Moskën në vend të Amerikës dhe partnerëve të tjerë që mund të furnizojnë vendin e tij me gaz për kushte tregtare. Ky është gabimi i tij. Të gjithë në Evropë duhet të mendojnë afatgjatë dhe të nxisin marrëdhënie që forcojnë kombet tona”, shkroi Zelenskyy në platformën sociale X.
Presidenti ukrainas kujtoi një vendim të homologut amerikan, Donald Trump, që mund të rrisë ndjeshëm eksportin e gaz natyror të lëngshëm (LNG) të SHBA-së, duke theksuar se më shumë burime energjetike nga partnerët e Evropës janë të nevojshme për sigurinë dhe stabilitetin.
“LNG-ja amerikane duhet të paguhet me para, por gazi rus ka një kosto jo vetëm të parave, por edhe të pavarësisë dhe sovranitetit. Shumë në Evropë e kanë kaluar tashmë këtë dhe kanë zgjedhur të ruajnë pavarësinë dhe sovranitetin e tyre, por jo zoti Fico”, tha Zelenskyy.
Komentet e tij erdhën disa orë pasi Fico tha se presidenti ukrainas është një “armik” i Sllovakisë.
Në përgjigje, Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës akuzoi kryeministrin sllovak se po përpiqet të “transferojë përgjegjësinë për dështimet e tij në politikën e brendshme tek vendet dhe liderët e huaj”, duke pretenduar se ai dhe disa ligjvënës janë “helmuar nga propaganda ruse”.
“Ne kemi besim se një lëvizje e tillë dhe politika e Fico-s janë kundër zgjedhjes së popullit të Sllovakisë për të qenë pjesë integrale e komunitetit evropian”, thuhet në deklaratë.
Më 1 janar, një marrëveshje 5-vjeçare midis Moskës dhe Kievit për transitin e gazit rus përmes Ukrainës skadoi pasi kjo e fundit refuzoi të zgjasë marrëveshjen në “interes të sigurisë kombëtare”.
Fico ka kërkuar rifillimin e tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës dhe zyra e tij tha se çështja do të diskutohet nesër me zyrtarët e Komisionit Evropian.