Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zelensky thirrje perëndimit: Na furnizoni me ar’më me rreze më të gjatë

Zelensky thirrje perëndimit: Na furnizoni me ar’më me rreze më të gjatë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje edhe një herë urgjentisht Perëndimit të furnizojë Kievin armë me rreze më të gjatë, pas avancimit të trupave të tij në rajonin rus, Kursk.

“Aftësia e forcave të armatosura të Ukrainës për të përdorur armë të tilla kundër Rusisë është çështja strategjike më e rëndësishme e kësaj lufte”, tha Zelensky në videomesazhin e tij të mbrëmjes në Kiev.

Për momentin, ka mungesë të vendimeve të nevojshme nga aleatët perëndimorë. Ai përmendi Britaninë e Madhe, për të cilën ai pretendoi se është bërë më e ngadaltë në veprim.

“Guximi dhe qëndrueshmëria e ushtarëve ukrainas janë duke kompensuar hezitimin e partnerëve perëndimorë”, tha Zelensky.

“Dhe ne mund t’i heqim – në mënyrë efektive – çdo mundësi pushtuesit për të përparuar dhe për të shkaktuar dëme nëse pajisjet tona me rreze të gjatë do të ishin të mjaftueshme”, shtoi Zelensky.

Presidenti ukrainas ka kërkuar vazhdimisht leje për të përdorur raketa kundër objektivave në Rusi. Aktualisht, ka kufizime për këtë.

“Bota e ka parë se sa efektivisht mbron Ukraina pavarësinë e saj dhe se ka nevojë për ndihmë të mëtejshme”, tha Zelensky.

Zelensky iu referua sërish një bisede me komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura, Oleksandr Syrskyi, i cili e informoi atë për përparimin e mëtejshëm në rajonin rus, Kursk.

Sipas informacioneve të fundit nga Kievi, Ukraina kontrollon mbi 80 fshatra dhe 1500 kilometra katrorë sipërfaqe në rajonin e Kurskut.

Këto pretendime nga palët ndërluftuese nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Ekspertët vlerësojnë rreth gjysmën e shifrave të përmendura nga Kievi.

Përafërsisht 10 000 ushtarë ukrainas janë vendosur në rajonin e Kurskut.

Zelensky synon, me ofensivën që filloi më 6 gusht, të rrisë presionin ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftimeve përmes negociatave pas pothuajse dy vjet e gjysmë të pushtimit rus në shkallë të plotë.

Megjithatë, nga perspektiva ruse, negociata të tilla duken edhe më të largëta për shkak të ofensivës së Ukrainës.

Exit mobile version