Zelensky sot i drejtohet G7-s, do të kërkojë më shumë armë të rënda

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do t’iu adresohet liderëve të G7-s të hënën, ku do të kërkojë që ta ndihmojnë Ukrainën me më shumë armë të rënda, derisa forcat ruse vazhduan sulmet raketore në Kiev gjatë vikendit.

Siç raporton BBC-ja të hënën, Zelensky një ditë më parë deklaroi se vonesa e dërgesave të armëve “çoi në sulmet e vazhdueshme ruse”, derisa kërkoi që Rusisë t’i vendosen sanksione të reja perëndimore.

“Partnerët duhet të lëvizin më shpejt nëse në të vërtet janë partnerë, e jo vëzhgues”, tha Zelensky.

Të dielën nisi Samiti vjetor mes përfaqësuesve perëndimorë. Në takim, SHBA-ja, Britania e Madhe, Japonia e Kanadaja, u dakorduan që t’i ndalojnë importet e arit rus me qëllim për ta goditur aftësinë ruse që ta financojë luftën në Ukrainë. Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se kjo lëvizje do ta godasë rëndë makinerinë ruse.

Lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së G7-s që po mbahet në Gjermani dhe kombet pritet të premtojnë mbështetje të mëtejshme ushtarake për Kievin dhe më shumë sanksione ndaj Moskës. /koha