Në Zelandën e Re me qindra njerëz marshuan para parlamentit në kryeqytetin e vendit në Wellington të martën për të protestuar kundër urdhrave që detyrojnë vaksinimin si dhe kufizimeve të lidhura me pandeminë.
Turma e madhe e njerëzve, shumë prej tyre protestues me motoçikleta bërtiste “liri”. Disa mbanin pankarta ku shkruhej “jo më kontroll”.
Kryeministrja Jacinda Ardern tha të hënën se bllokimi i qytetit më të madh të vendit, Auckland, ka të ngjarë të përfundojë në fund të këtij muaji, dhe se disa kufizime lidhur me koronavirusin janë lehtësuar që prej mëngjesit të së martës.
Zonja Ardern tha se si hap i dytë do të jetë hapja e bizneseve dhe qendrave të tregtisë me pakicë. Por ajo shtoi se kinematë dhe palestrat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura. Zonja Arden tha se vendosja e maskave dhe ruajtja e distancës fizike do të vazhdojnë të jenë në fuqi.
Qyteti Auckland ka qenë i mbyllur për rreth tre muaj pas një shpërthimi të variantit delta. Zonja Ardern tha se përmirësimi i shkallës së vaksinimit së qytetit tek personat nga 12 vjeç e lart do të thotë reduktim i mëtejshëm i kufizimeve. /voa