Zelandë e Re, fillon gjykimi për terroristin që sulmoi xhamitë në Christchurch

Fillon gjykimi për terroristin Brenton Tarrant që sulmoi 2 xhamitë në Christchurch në Zelandën e Re, ku si pasojë u vranë 51 persona dhe u plagosën 49 të tjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të radios së Zelandës së Re, mësohet se nën masa intensive të sigurisë ka filluar në gjykatën e lartë Christchurch seanca e gjykimit e cila pritet të zgjasë 4 ditë dhe në të cilën do të përcaktohet dënimi për terroristin Tarrant.

Shumë rrugë janë mbyllur dhe policët snaiperë janë vendosur nëpër çati në zonën pranë gjykatës ku mbahet seanca në të cilën krahas familjarëve të viktimave marrin pjesë edhe persona që kanë shpëtuar të plagosur nga sulmi.
Pritet që mbi 60 persona të marrin drejtën e fjalës në seancat për të cilat është ndaluar transmetimi direkt dhe njoftimi i lajmeve gjatë procesit gjyqësor.

Ndërkohë terroristi i cili do të gjykohet nga Cameron Mander, gjykatësi i gjykatës së lartë Christchurch, do të marrë pjesë në seanca nëpërmjet lidhjes me video dhe zë nga burgu Auckland ku ndodhet i burgosur.

     Ka pranuar akuzat ndaj tij

Për terroristin Tarrant, gjykata e lartë e Christchurch pranoi më 13 korrik kërkesën e tij për t’u vetëmbrojtur. Ai akuzohet për 51 vrasje, 40 vrasje të mbetura në tentativë dhe për 1 sulm terrorist.

Terroristi i ekstremit të djathtë që mbron idenë e mbizotërimit të racës së bardhë, pritet që të dënohet me burgim të përjetshëm pas një procesi gjykimi prej 4 ditësh.

Më 15 mars të vitit 2019, Tarrant kreu sulm terrorist me armë automatike gjatë namazit të xhumasë në xhamitë Al Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch.

Në sulmin për të cilin reagoi Zelanda e Re dhe e gjithë bota, humbën jetën 51 persona, 1 prej të cilëve turk si dhe u plagosën 49 persona të tjerë përfshirë 2 turq.