Zelanda e Re pezullon marrëdhëniet me Mianmarin

Zelanda e Re pezulloi të gjitha kontaktet politike dhe ushtarake të nivelit të lartë me Mianmarin pas puçit ushtarak të javës së kaluar, njoftoi ministrja e Jashtme e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, ministrja e Jashtme Nanaia Mahuta tha se vendi i saj nuk do ta njohë legjitimitetin e qeverisë së udhëhequr nga ushtria në Mianmar.

“Zelanda e Re është thellësisht e shqetësuar për grushtin e shtetit në Mianmar. Ne nuk e njohim ligjshmërinë e qeverisë së udhëhequr nga ushtria dhe i bëjmë thirrje ushtrisë që menjëherë të lirojë të gjithë udhëheqësit politikë të ndaluar dhe të rivendosë qeverisjen civile”, tha Mahuta.

“Gjithashtu kam dhënë udhëzimin që programi i ndihmës së Zelandës së Re për Mianmarin nuk duhet të përfshijë projekte që dorëzohen nëpërmjet qeverisë ushtarake ose nga të cilat përfiton qeveria ushtarake”, shtoi ajo.

Qeveria e Zelandës së Re gjithashtu ka vendosur ndalesë udhëtimi për udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit.

“Për më tepër, Zelanda e Re është bashkuar me vendet që kanë bërë thirrje për një seancë të posaçme në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara në lidhje me Mianmarin, për të ngritur shqetësimet tona në lidhje me puçin ushtarak dhe ndikimin në të drejtat e njeriut. Sundimi i ligjit dhe vullneti demokratik i popullit të Mianmarit duhet të respektohet”, tha ministrja e Jashtme.

Ajo më tej tha se së bashku me partnerë të tjerë dhe bashkësinë ndërkombëtare, po e monitorojnë nga afër situatën në Mianmar.

“Ne i mirëpresim deklaratat e G7-tës dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që dënojnë marrjen e pushtetit nga ushtria”, përfundoi Mahuta.

Ndryshe, ushtria e Mianmarit, e njohur zyrtarisht si Tatmadaw, shpalli gjendje të jashtëzakonshme javën e kaluar disa orë pasi ndaloi lideren de-fakto të vendit dhe Këshilltaren e Shtetit Aung San Suu Kyi, presidentin Win Myint dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë në pushtet, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Suu Kyi shërbeu si lidere e Mianmarit nga viti 2016 deri në vitin 2021 pas një lufte të gjatë për demokraci që i dha asaj Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991. Megjithatë, heshtja e saj në lidhje me masakrën ndaj muslimanëve Rohingya dhe mbrojtja e gjenocidit të ushtrisë në gjykatën ndërkombëtare tërhoqi kritika të ashpra në gjithë globin.

Grushti i shtetit u zhvillua disa orë para seancës së parë të parlamentit të ri që po mblidhej pas zgjedhjeve të mbajtura nëntorin e kaluar, në të cilën partia NLD e kryesuar nga Suu Kyi korri fitore. Ushtria pretendoi që grushti i shtetit ndodhi për shkak të “mashtrimit zgjedhor” që ka çuar në dominimin e NLD-së në parlament.