Ballina Artikuj Zekati në vlerë monetare

Zekati në vlerë monetare

Një hatib në një prej xhamive më ankohej se eprorët e tij e kishin sulmuar! E pyeta: “Përse?” Ai u përgjigj: “Sepse në hutben e Bajramit të Fitrit dhashë fetva se vlera monetare nuk e zëvendëson zekatin në natyrë dhe e dënonova Ebu Hanifen dhe mendimin e tij në këtë çështje!”

E pyeta: “Pse e bëre këtë?” Ai, i zemëruar, tha: “Vendosa parimin e selefëve, a është kjo një krim?!”

Iu përgjigja me qetësi: “Ti nuk e njeh më mirë metodologjinë e selefëve sesa Shejhul Islam Ibn Tejmije, i cili e lidhte gjykimin me interesin e të varfërit dhe e konsideronte të lejuar dhënien e vlerës monetare nëse ajo ishte më e dobishme dhe më e dashur për të! A ke lexuar se çfarë ka përmendur autori i ‘Fethul Bari’ në këtë çështje?”

M’u duk se ky hatib që jepte fetva nuk kishte njohuri të thella mbi fjalët e dijetarëve në këtë temë, megjithatë kishte vazhduar të sulmonte medhhebin hanefi dhe themeluesin e tij!

I thashë: “Në librin Fikhu ez-Zekah të shejh Jusuf el-Karadavit gjendet një përmbledhje e mendimeve të dijetarëve tanë të mëdhenj mbi zekatin, vlerën monetare dhe mënyrën më të mirë për ta dhënë atë.

Ndoshta e di se zekati është ligjësuar për dobinë e të varfërve, jo për t’i rënduar ata. Dhe se Umeri ibn Abdulazizi, i cili lejonte dhënien e vlerës monetare, është i njohur si ‘kalifi i pestë i drejtë’. Sharja e tij është e qortueshme. As ai dhe as Ebu Hanife nuk hapën ndonjë derë devijimi në fe kur vepruan kështu.

Për më tepër, minberi është për përmendjen e Allahut dhe ruajtjen e ligjeve të Tij, jo për të ngritur një medhheb mbi një tjetër! Çfarë të shtyu ta sulmosh Ebu Hanifen në atë mënyrë?!”

Një koleg i yti në Kajro tha se “Shafiu e shkatërroi Kajron”! Një tjetër në Algjeri tha se “Maliku nuk e ndoqi mirë Sunetin!”

Katër imamët e mëdhenj janë ndër majat e selefëve dhe ndriçues të fesë. Pse e humbisni mirësjelljen kur flisni për ta, por e respektoni atë ndaj të tjerëve?!

Shumë prej atyre që pretendojnë selefizmin, në fakt, e dëmtojnë atë nën petkun e tij. Dhe unë paralajmëroj nga ata që flasin me arrogancë e padituri!

Ky hatib do të kishte bërë më mirë të studiojë nevojat e besimtarëve të xhamisë, të njohë të varfërit që janë të përkushtuar ndaj fesë dhe që nuk kërkojnë lëmoshë, dhe t’i orientojë ndaj tyre njerëzit bamirës. Nëse këta të fundit japin flori në vend të elbit, nuk duhet të pengohen e as të kritikohen!

Përçarja dhe armiqësia janë frytet e gjuhëve të pamatura! Nuk di kohë më të vështira se këto, kur myslimanët kanë më shumë nevojë për bashkëpunim dhe dashuri vëllazërore!

Prandaj, le të kenë frikë Allahun ata hatibë që dëmtojnë më shumë sesa ndihmojnë, dhe le të lexojnë më shumë, sepse prej kohësh kemi dëgjuar se dija është dritë.

Shejh Muhamed el-Gazali

Nga libri El-Hakku el-Murr (E vërteta e hidhur), vëllimi 1

Nga: Hoxhë Hasan Baftijari

Exit mobile version