Zeka: Do të ketë rënie të të hyrave buxhetore për vitin 2020

Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka thënë se është shumë herët të flitet për ndikimin që ka pasur pandemia në vendet e punës.

Sipas tij,  duhet të presim për të dhëna zyrtare qoftë nga anketa të fuqisë punëtore apo edhe të dhënave zyrtare të cilat do të prezantohen nga Administrata Tatimore e Kosovës në muajt në vazhdim.

“Sa i përket punësimit është shumë herët që të matet ndikimi që pandemia ka pasur në vendet e punës. Megjithatë do të duhet të presim për të dhëna zyrtare qoftë nga anketa të fuqisë punëtore e cila përgatitet nga agjencia e statistikave të Kosovës apo edhe të dhënave zyrtare të cilat do të prezantohen nga Administrata Tatimore e Kosovës në muajt në vijim. Edhe pse është herët që ndonjëra prej ndërmarrjeve të ketë deklaruar më pak punonjës sesa që ka pasur para pandemisë. Interesant do të jenë të dhënat edhe për sa i përket qarkullimit të bizneseve përgjatë tre muajve të kaluar dhe besoj se do të jenë gati pas datës 20 korrik kur deklarohet tatimi mbi vlerën e shtuar”, shtoi Zeka.

Ai, theksoi se si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia, do të ketë rënie të të hyrave buxhetore për vitin 2020, shkruan Ekonomia Online.

“Tash efektet e pandemisë janë gjithëpërfshirëse dhe kanë goditur sektorin privat për shkak të masave të kufizuara me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë, por në anën tjetër derisa shënojmë një rënie në bruto produktin vendor domosdoshmërish do të ketë rëni të të hyrave buxhetore për vitin 2020”, shtoi ai.

Mes tjerash, Zeka tha se Kosova është në një situatë të vështirë sa i përket zbatimit të pakos emergjente sepse ende nuk është aprovuar.

Sipas tij, shteti ka dështuar që ti japë mbështetje e duhur ndërmarrjeve.

Ai shpreson që rishikimi i buxhetit të përfundojë brenda kësaj jave, dhe ka kritikuar deputetët, që sipas tij po merren me tema dytësore.

“Tashmë jemi në një situatë dëshpërimi sepse zbatimi i parë nga pakoja emergjente fiskale është vonuar dhe nuk kemi parë ende aprovimin e projektligjin të rimëkëmbjes sepse ky ligj do të bënte të mundur edhe zbatimin e masave nga pakoja e rimëkëmbjes. Presim që të përfundojë rishikimi buxhetor. Këtu çdo kritikë është për deputetët të cilët kanë gjetur të bëjnë politik për tema të tjera që unë konsiderojë që në këtë situatë janë të natyrës dytësore. Ekonomia është parësore për momentin dhe të gjithë përpjekjet tona duhet të jenë të fokusuara te rimëkëmbja”.

“Aprovimi i buxhetit për vitin 2020 shpresojmë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Shteti ka dështuar që ti japë përkrahjen apo mbështetje ndërmarrjeve. Disa prej bizneseve kanë protestuar në të drejtën e tyre. Shpresoj që rishikimi i buxhetit të përfundojë brenda kësaj jave. Pastaj javën tjetër të bëhet edhe aprovimin në të dyja leximet edhe të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike”, shtoi Zeka.

Zeka parasheh edhe tërheqjen e kursimeve pensionale të 10 përqindëshit të mjeteve të kursimit.

Pavarësisht vonesës që është bërë në aprovimin e marrëveshjeve, Zeka theksoi se është për tu mirëpritur fakti që u aprovuan marrëveshjet ndërkombëtare.

“Po ashtu parashihet edhe tërheqja e kursimeve pensionale të 10 përqindëshit të këtyre mjeteve të kursimit pensional. Tërheqja e këtij 10 përqindëshi ka mbetur një alternativë e pranueshme dhe është një çështje e ndjeshme. Pavarësisht vonesës që është bërë në aprovimin e këtyre marrëveshjeve është për tu mirëpritur fakti që janë aprovuar marrëveshjet ndërkombëtare”, shtoi ai.